Kida ndan fotografitë e martesës me Ajbin, shfaqet mahnitëse me fustanin e nusërisë
Këngëtarja e njohur shqiptare, Kida, ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale fotografitë e martesës me partnerin e saj, Ajbin.
Çifti kurorëzoi dashurinë e tyre më 1 shtator në një prej lokacioneve më luksoze dhe historike të Italisë, në rezidencën ikonike Villa Miani në Romë, e cila shtrihet në kodrën e Monte Marios dhe ofron një pamje të plotë panoramike mbi kryeqytetin italian.
Në imazhet e publikuara nga vetë artistja, ajo shfaqet me një stil të kuruar deri në detaje, duke sjellë një imazh mjaft modern dhe estetik.
Ajo zgjodhi një fustan nusërie prej dantelle të punuar imët, me një strukturë të stilit korse që pason linjat e trupit, të kombinuar me mëngë të gjata të stilit dorezë dhe një bisht të gjatë me struktura voluminoze që krijojnë formën e petaleve. Flokët e kapur pastër dhe makijazhi minimalist me tone të ngrohta plotësuan pamjen e saj.
Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj, Ajbi, u shfaq mjaft elegant me një sako të bardhë smoking, të kombinuar me këmishë të bardhë, papion të zi dhe pantallona klasike.
Fotografitë dokumentojnë çastet nga shkëmbimi i betimeve në altar, portrete private me sfond arkitekturën historike romake, si dhe sekuenca spontane bardhezi që pasqyrojnë lumturinë e ditës së tyre më të rëndësishme. /Telegrafi/


