Please enter at least 3 characters.

KFOR zhvillon ushtrim ushtarak pranë Obiliqit, në fokus ‘luftimet’ në mjedis urban – fotografi

Ushtarët hungarezë të caktuar në Batalionin e Rezervës Taktike të KFOR-it zhvilluan një ushtrim taktik pranë Obiliqit.

Në njoftim bëhet e ditur se ushtrimi, i cili u përqendrua në luftimin në hapësira të afërta (CQB) në një mjedis kompleks urban, shënoi përmbylljen e një cikli intensiv tre-mujor të trajnimit, me synim forcimin e aftësive taktike, gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë.

Të mbështetur nga automjete të blinduara dhe një helikopter H145M i KFOR-it, ushtrimi përfshiu gjithashtu kapacitete zvicerane kundër dronëve dhe ekspertizë rumune për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese (EOD).

“Kjo mundësoi testimin e aftësisë së kompanisë së integruar për të planifikuar dhe zhvilluar operacione komplekse në një mjedis realist”, thuhet në njoftim.

Përmes ushtrimeve të tilla, pjesëtarët e KFOR-it ruajnë një nivel të lartë të gatishmërisë operacionale dhe ndërgjegjësimit për situatën, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. /Telegrafi/