Please enter at least 3 characters.

KFOR-i amerikan dhuron pajisje për zjarrfikësit e Komunës së Vitisë

Komuna e Vitisë ka pranuar një donacion nga KFOR-i amerikan, i cili përmban pajisje për zjarrfikësit e komunës.

Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin James Miller, Leutnant Kolonel i KFOR-it dhe Komandant i Regjionit të Lindjes, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga Basri Aliu, Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave.

Kryetari Haliti falënderoi KFOR-in për këtë donacion dhe për angazhimin e vazhdueshëm në përmirësimin e kapaciteteve profesionale të zjarrfikësve, si dhe për furnizimin e tyre me pajisje të nevojshme që ndikojnë pozitivisht në efektivitetin e punës së tyre.

Komandanti i NJPZSH-së në Viti, Hetem Jakupi, theksoi rëndësinë e këtij donacioni, veçanërisht dhurimin e kompresorit për mbushjen e bombolave të oksigjenit. Ai shtoi se deri tani, për shkak të mungesës së këtij kompresori, zjarrfikësit kanë qenë të detyruar të kryejnë mbushjen jashtë territorit të komunës.

Përpara ceremonisë së dorëzimit të donacionit, u zhvillua një takim në objektin e zjarrfikësve, ku Kryetari Haliti, Basri Aliu dhe Hetem Jakupi diskutuan për bashkëpunimin mes komunës dhe KFOR-it, si dhe për mbështetje të mëtejshme për zjarrfikësit.

Kryetari Haliti e vlerësoi lartë kontributin e KFOR-it, duke theksuar se kjo mbështetje ka ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. /Telegrafi/