Kështu duket sot vendpushimi i Putinit - shpërthime dhe një anije në flakë
Ushtria ukrainase ka kryer disa sulme ndaj qytetit rus të Socchit, ku objektivat përfshinë një anije ruse të goditur nga një dron detar dhe një depo nafte.
Marina ukrainase publikoi pamje që tregojnë flakët pas sulmit me dron ndaj anijes “Nefrit”.
Sipas saj, anija është pjesë e infrastrukturës detare dhe energjetike ruse dhe përdoret për operacione të lidhura me naftën dhe gazin, mirëmbajtjen e platformave detare, transportin e ngarkesave dhe personelit, si dhe punime teknike nënujore.
Gjatë natës, në disa kanale ruse në Telegram u publikuan edhe pamje të një zjarri në një depo nafte, i cili dyshohet se shpërtheu pas një sulmi ajror. Sipas raportimeve lokale, zjarri ndodhi në qendër të Socchit, pranë portit, por objekti i saktë nuk është identifikuar.
Raportime të tjera pretendojnë se një nga shpërthimet ndodhi pranë një sistemi rus të mbrojtjes ajrore Pancir në port. Megjithatë, nuk është e qartë nëse vetë sistemi është goditur. Raportimet për këtë zhvillim nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ukraina po synon infrastrukturën energjetike dhe detare ruse në kuadër të një strategjie për të goditur burimet e financimit dhe linjat logjistike të Moskës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Kievi, vetëm gjatë korrikut janë goditur dhjetëra anije ruse në Detin e Zi dhe Detin Azov.
Soçi ka rëndësi të veçantë simbolike dhe strategjike. Qyteti është një nga destinacionet më të preferuara të elitës ruse dhe aty ndodhet edhe rezidenca verore zyrtare e presidentit rus, Vladimir Putin. Soçi ndodhet rreth 650–700 kilometra nga kufiri ukrainas. /Telegrafi/


