Kërveshi: BE-ja humbi betejën ligjore, Albina Nura u përsekutua për vite me radhë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-zyrtares së Bashkimit Evropian, Albina Nura, e akuzuar për korrupsion.
Nura akuzohej se kishte shkaktuar dëm prej 500 mijë eurosh buxhetit të BE-së, duke kryer veprat penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konfliktit të interesit”.
Pas vendimit, juristi Kujtim Kërveshi ka reaguar në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e gjykimeve profesionale dhe të drejta si gurthemeli i lirisë së Republikës së Kosovës.
Ai kritikoi ashpër trajtimin e rastit nga Prokuroria Speciale dhe përfshirjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Janë të rralla rastet kur kam pasur nevojë personale me ‘zbraze’ arsenalin, e me i tregu zyrës së BE-së në Kosovë leksione bazike mbi subjektivitetin juridik të BE-së, të zyrës ndërlidhëse…”, shkroi Kërveshi.
Ai akuzoi Prokurorinë Speciale se kishte trajtuar imunitetin e Duraku Nurës “në mënyrën më skandaloze”, ndërsa Zyra e BE-së, kur kuptoi se po e humbte betejën, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.
Sipas tij, provat kryesore u dorëzuan të cunguar dhe pa anekset përkatëse.
Kërveshi gjithashtu akuzoi Gjykatën për shkelje të profesionalizmit duke pranuar kërkesën e BE-së për përjashtimin e gjyqtarit, pavarësisht se ai kishte vepruar në mënyrë profesionale dhe të barabartë ndaj palëve.
“Trupi i ri gjykues nisi nga fillimi, sot ja vendosi pikën!”, përfundoi Kërveshi, duke paralajmëruar se do të deklarohet më gjerësisht për këtë dhe çështje të tjera./Telegrafi/


