Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për shitblerje të narkotikëve në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin F.H., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, më 03 shkurt 2026, rreth orës 19:14, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, pranë rrethit të FSK-së, i pandehuri dyshohet se ka poseduar pa autorizim substanca narkotike me qëllim shitjeje ose shpërndarjeje. Gjatë kontrollit të automjetit “Renault Clio” nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj, në kroskotin e pasagjerit u gjet një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike, e llojit marihuanë, me peshë 206.90 gram.
Pas këtij kontrolli, DHTN-Ferizaj në bashkëpunim me DHTN-Prizren kryen një kontroll-bastisje në shtëpinë e babait të të dyshuarit në Prizren. Gjatë kontrollit u gjetën dy qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 8.15 gram, të cilat ishin të vendosura në dhomën e të dyshuarit dhe u sekuestruan nga policia.
Nga këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale sipas nenit 267 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria thekson se F.H., që nga data 03 shkurt 2026, ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh, sipas vendimit të Prokurorit të Shtetit, deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme ligjore. /Telegrafi/


