Please enter at least 3 characters.

"Kërcënoi fqinjin me sopatë pas mosmarrëveshjes për pronën", dënohet me një vit burgim i pandehuri në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.A., për shkak të veprës penale kanosja.

Sipas një njoftimi për media thuhet se Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, e kryesuar nga gjyqtarja e vetme gjykuese Mimoza Maloku Shabani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin F.A., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi efektiv në kohëzgjatje prej një viti.

“I pandehuri akuzohet se më datë 8 mars 2026, rreth orës 11:45, në një fshat në Komunën e Ferizajt, me qëllim të frikësimit e kanos të dëmtuarin – akuzuarin V.M., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme dhe shqetësimeve të vazhdueshme që i`a bënte i akuzuari lidhur me pronën, ashtu që me dashje dhe me qëllim të frikësimit me mjet (sopatë) e mbanë lartë në pozicion të përshtatshëm për t`i shkaktuar lëndime trupore, pastaj e kanos me fjalë “qetash ta ...(fjalë fyese)... e nanës që po mi thirr policinë” me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe pasigurisë për jetën e tij.

Me aktvendim të veçantë të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar. Kjo masë të pandehurit i është caktuar me arsyetimin se në seancën fillestare të mbajtur më datë 16 qershor 2026 pasi që i njëjti ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, i njëjti përsëri e ka kanosur të dëmtuarin – akuzuarin V.M. Ashtu mes tjerash ka thënë: “nuk jam penduar për këto veprime dhe me gjak do ta paguaj sakicën djali i vëllait të tij që' është polic dhe unë nuk e la këtë punë me kaq dhe e njoftoj se radion nuk e ndali kurrë e përjetë”.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.