Kërcënime dhe ofendimeve ndaj lojtarëve dhe stafit - federata suedeze i dërgon rastet në polici
Pas humbjes 2-0 ndaj Kosovës dhe barazimit të mëparshëm me Slloveninë, ekipi kombëtar i Suedisë është përballur me një valë kërcënimesh dhe ngacmimesh në rrjetet sociale.
Federata Suedeze e Futbollit (SvFF) ka njoftuar se një pjesë e komenteve tashmë janë duke u raportuar në polici.
“Një numër i madh personash kalojnë vijën, duke u futur në kërcënime dhe ngacmime të paligjshme. Këto janë komentet që po i shqyrtojmë dhe do t’i raportojmë në polici. Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që lojtarët dhe udhëheqësit tanë ta ndjejnë mbështetjen tonë”, deklaroi menaxheri i sigurisë, Martin Fredman, për Fotbollskanalen.
Ai sqaroi se disa prej mesazheve përmbajnë edhe racizëm kundër një lojtari të kombëtares, çështje që gjithashtu do të raportohet
“Sigurisht që do ta çojmë përpara këtë rast. Racizmi dhe nxitja kundër grupeve etnike janë të papranueshme dhe ne i marrim shumë seriozisht”, deklaroi ai.
Fredman theksoi gjithashtu natyrën e këtyre kërcënimeve, duke folur me bindje se do të procedohen te organet.
“Është kërcënim i paligjshëm kur frikëson dikë, kur i drejtohesh me dëshirën për t’i marrë jetën ose duke i bërë të ndihen të rrezikuar. Nëse një lojtar ose trajner e përjeton si kërcënim, atëherë është një parakusht për të shkuar më tej”, deklaroi Fredman.
Ndërkohë, emrat e viktimave nuk janë bërë publikë. Pyetur nëse mes tyre është edhe përzgjedhësi Jon Dahl Tomasson, Fredman nuk pranoi të komentojë, duke theksuar se federata po punon për të mbrojtur të gjithë lojtarët dhe stafin. /Telegrafi/


