Kastrioti në finale pas trilerit ndaj Rahovecit – Chebbi hero në penallti
Kastrioti ka siguruar finalen e Kupës së Kosovës në hendboll pas një përballjeje dramatike ndaj Rahoveci, duke triumfuar vetëm pas ekzekutimit të penalltive.
Ndeshja gjysmëfinale, e zhvilluar në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, u ndoq nga një numër i madh shikuesish dhe ofroi spektakël të plotë, me kthesa të vazhdueshme në rezultat.
Rahoveci e mbylli pjesën e parë në epërsi minimale 15:14, duke lënë të kuptohej se do të ishte një duel i fortë deri në fund. Megjithatë, Kastrioti reagoi fuqishëm në pjesën e dytë, duke rikuperuar disavantazhin dhe duke e çuar ndeshjen në barazim 30:30 pas kohës së rregullt.
Fituesi u përcaktua nga penalltitë, ku Kastrioti tregoi më shumë qetësi dhe saktësi, duke fituar 4:3.
Në serinë vendimtare për Kastriotin shënuan Axel Ahlin Albin, Festim Mustafa dhe Yassine Henahen, ndërsa Mustafa realizoi sërish në raundin e dytë. Të pasaktë nga skuadra e Ferizajt ishin vetëm Alban Haziri dhe Adonit Isufi.
Nga ana tjetër, për Rahovecin u treguan të saktë Jon Muqolli, Egzon Gjuka dhe Fernandes Da Silva, ndërsa penalltitë i humbën Mali Luzha, vetë Muqolli në tentimin e dytë dhe Lulzim Shabani.
Figura kyçe e takimit ishte portieri Wadi Chebbi, i cili me pritjet e tij vendimtare gjatë lojës dhe në penallti i siguroi Kastriotit kalimin në finale.
Sa i përket performancave individuale, Festim Mustafa u dallua me 10 gola për Kastriotin, ndërsa Egzon Gjuka realizoi tetë gola për Rahovecin.
Në finalen e madhe të meshkujve, Kastrioti do të përballet me Besa Famgas, e cila siguroi kualifikimin pasi mposhti Prishtina me rezultat bindës 39:26. Finalja do të zhvillohet nga ora 20:15, sërish në palestrën “Bill Clinton”.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, finalja do të luhet nga ora 17:15 mes Istogu dhe Samadrexha. Istogu arriti në finale pasi eliminoi Shqiponjën e Gjakovës me rezultat 28:26, ndërsa Samadrexha fitoi ndaj Ferizajt 32:29./Telegrafi/


