Kaos pas triumfit të PSG-së, festime të çmendura në Francë - qindra të arrestuar
Autoritetet franceze thonë se policia ka arrestuar qindra persona pas dhunës që ndërpreu festimet e së shtunës vonë për fitimin e titullit të dytë të Ligës së Kampionëve nga Paris Saint-Germain (PSG).
Arrestimet erdhën pasi mijëra tifozë mbushën rrugët dhe filluan të festonin në të gjithë vendin pas fishkëllimës së fundit në Budapest, Hungari, ku skuadra kryesore franceze, PSG, fitoi duke mposhtur Arsenalin me penallti në një finale dramatike.
Sipas ministrisë së brendshme franceze, rreth 416 persona u arrestuan në nivel kombëtar, përfshirë 283 vetëm në kryeqytetin francez, Paris, shtëpinë e kampionëve të PSG-së.
Në Paris, tifozët marshuan përgjatë rrugëve pranë Harkut të Triumfit.
Rreth 20,000 njerëz u mblodhën në Champs-Elysees, me policinë që po punonte për të ndaluar turmën.
Sipas prefekturës së policisë së Parisit, grupe më të vogla shkaktuan dëme në një numër vendesh, ku disa prej tyre vunë zjarre dhe vandalizuan dyqane.
Ata gjithashtu i vunë flakën veturave. Një oficer policie u plagos.
Unaza kryesore rrugore që rrethon Parisin u bllokua për pak kohë nga një turmë. Policia tha gjithashtu se një furrë buke dhe një restorant u dëmtuan.
Ndryshe, dhuna e këtij viti vjen pas asaj të majit të vitit të kaluar, kur Parisi ishte në gatishmëri të lartë me 8,000 oficerë policie të stacionuar në të gjithë qytetin, ndërsa PSG siguroi triumfin e saj të parë të shumëpritur në Ligën e Kampionëve.
Rreth 201 persona u plagosën në kryeqytetin francez atëherë, dhe policia bëri mbi 500 arrestime në të gjithë vendin.
Fitorja e PSG-së këtë vit e bën atë klubin e dytë në historinë moderne të Ligës së Kampionëve që e ruan titullin - dy herë radhazi. /Telegrafi/


