Please enter at least 3 characters.

Kandidati për deputet i LDK-së, Krasniqi: Mësuesit që mbajtën gjallë arsimin shqiptar po ndëshkohen nga shteti që ndihmuan ta ndërtojnë

Kandidati për deputet nga LDK-ja, me numër 105 në listën zgjedhore 113, ka thënë se po bëhet një nga padrejtësitë më të mëdha mësuesve të viteve të rezistencës në Kosovë, me mosllogaritjen e viteve 1990–1999 si kontribut pune për pension.

Ai rikujton se gjatë viteve të okupimit serb, kur mësimi në gjuhën shqipe ishte ndaluar dhe shkollat shqiptare u mbyllën, mësuesit nuk e ndalën misionin e tyre, ata shkonin shtëpi më shtëpi për të mbajtur gjallë arsimin shqip.

Kandidati Riza, i cili ka punuar 17 vite si profesor në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë — i njohur dikur si “11 Maji” — kujton sakrificat e asaj kohe dhe thotë se është e papranueshme që sot, në shtetin për të cilin sakrifikuan, ato vite të mos njihen si vite kontributdhenese për pension.

“Ne nuk e ndalëm arsimin as kur nuk kishim shkolla. Mësuesit bartnin libra, ditarë e tabela nëpër shtëpi private vetëm që fëmijët shqiptarë të vazhdonin mësimin në gjuhën e tyre”, ka deklaruar ai.

Në rrëfimin e tij, ai ndalet veçanërisht tek miku i tij i ndjerë, Rexh Gjonbalaj, profesor i matematikës, i cili kishte ndërtuar vetë një tabelë të zezë dhe e barte në shpinë nga një shtëpi në tjetrën.

Ai thoshte ‘Si do t’ua mësoj matematikën fëmijëve pa tabelë?’ Dhe e barte atë çdo ditë në shpinë,” kujton kandidati.

Sipas tij, ironia më e madhe qëndron në faktin se sot njihen si vite kontributi periudhat e atyre që kanë punuar në institucionet e regjimit serb dhe kanë kontribuar në buxhetin e Serbisë, ndërsa nuk njihen vitet e mësuesve shqiptarë që mbajtën gjallë arsimin dhe identitetin kombëtar në kohën më të vështirë për Kosovën.

Ai ka premtuar se këtë çështje do ta ngrisë në Kuvendin e Kosovës dhe do të kërkojë zgjidhje ligjore që vitet 1990–1999 të njihen si vite pune për të gjithë mësuesit që shërbyen në sistemin paralel të arsimit.

“Këta njerëz nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë vetëm drejtësi për sakrificën e tyre”, ka theksuar kandidati i LDK-së me numër 105.