Kamioni me ndihma nga Suedia për Luginën u kthye mbrapsht pas bllokimit rreth 20 ditë nga Serbia
Një kamion me ndihma humanitare me vlerë mbi 300 mijë euro, i destinuar për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, është detyruar të kthehet në Suedi pasi u bllokua nga autoritetet doganore serbe, ka bërë të ditur veprimtari humanitar në Suedi, Omer Zuko.
Sipas Zukos, kamioni që transportonte pajisje mjekësore për spitale dhe ndihma për personat me aftësi të kufizuara qëndroi i bllokuar për rreth 20 ditë, duke shkaktuar edhe një kosto shtesë prej 6 mijë eurosh për transportin.
Ai ka bërë të ditur se ndihmat ishin dërguar nga organizata humanitare "Human Bridge", në bashkëpunim me Shoqatën "Liria" nga Växjö i Suedisë, ndërsa destinacioni i tyre ishte Lugina e Preshevës. Sipas tij, Komuna e Preshevës kishte garantuar pranimin e ngarkesës, ndërsa si person kontaktues dhe garantues i projektit ishte Enkel Rexhepi, në koordinim me komunën.
Zuko shpjegon se pas mbërritjes në Doganën e Vranjës, kamioni u mbajt i bllokuar për pesë ditë. Autoritetet serbe, sipas tij, kërkuan një vërtetim nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, procedurë që mund të zgjasë më shumë se dy muaj.
Ai thekson se, për shkak të karakterit urgjent të ndihmave humanitare, u kërkua që kamioni të lejohej të vazhdonte rrugën drejt Kosovës.
"Në një bisedë telefonike me kryedoganierin Zoran Totić, u kërkua që kamioni të lirohej nga Dogana e Vranjës dhe të vazhdonte drejt Kosovës. Ai u përgjigj se kjo ishte e mundur vetëm nëse Komuna e Preshevës jepte një pëlqim zyrtar se hiqte dorë nga pranimi i ndihmave", ka shkruar Zuko.
Sipas tij, përpjekje për sigurimin e këtij dokumenti bëri edhe Enkel Rexhepi, por ato nuk rezultuan të suksesshme, pasi kryetarja e Komunës së Preshevës dhe kabineti i saj ndodheshin në Shqipëri. Edhe pas kthimit të tyre, ai pretendon se pëlqimi i kërkuar nuk u dha.
"Për pasojë, u detyruam ta tërhiqnim kamionin nga Dogana e Vranjës dhe ta kthenim në Suedi", shkruan ai.
Zuko shton se vështirësitë nuk përfunduan me kaq. Gjatë kthimit, kamioni u ndal sërish në pikën kufitare të Horgoshit, ku qëndroi edhe pesë ditë të tjera për shkak të kërkesave për dokumentacion shtesë.
Në reagimin e tij, ai thekson se kjo është hera e parë që organizata përballet me një situatë të tillë, pas më shumë se një dekade aktivitetesh humanitare.
"Gjatë më shumë se dhjetë viteve kemi dërguar mbi 60 kamionë me ndihma humanitare në Kosovë dhe Shqipëri, pa hasur asnjëherë në pengesa të këtij lloji", ka përfunduar Zuko./Telegrafi.


