Please enter at least 3 characters.

Kallmi, nga bazë ushtarake në atraksion turistik

Në brigjet e Adriatikut, ku qytetet rriten dhe bregdeti ndryshon çdo vit, ka ende vende ku natyra ruan fytyrën e saj të egër. Vetëm pak kilometra larg qendrës së Durrësit, një rrugë mes kodrave zbret drejt një bregu që për shumë vite mbeti larg syve të shumicës.

Ky është Kallmi.

Një bregdet i skalitur nga gjire të vegjël, shkëmbinj dhe ujëra të kthjellët, që krijojnë një nga peizazhet më të veçanta të Adriatikut.

Dikur i njohur vetëm nga banorët e zonës, sot Kallmi po zbulohet gjithnjë e më shumë edhe nga turistët e huaj. Deti i pastër, relievi shkëmbor dhe qetësia janë arsyet pse shumë vizitorë zgjedhin ta kalojnë ditën pikërisht këtu, larg plazheve më të mbipopulluara.

Për mijëra vjet, dallgët dhe era kanë skalitur këtë vijë bregdetare, duke krijuar gjiret e vegjël dhe relievin shkëmbor që sot e bëjnë Kallmin lehtësisht të dallueshëm.

Por Kallmi nuk ofron vetëm plazh.

Mbi vijën bregdetare shtrihen shtigje natyrore që të çojnë në pika panoramike, nga ku hapet pamja e gjithë gjirit, portit dhe vijës bregdetare të Durrësit.

Një grup turistësh kanë zgjedhur ta eksplorojnë zonën ndryshe, përmes guidave me motorë me katër rrota, duke përshkuar shtigjet natyrore dhe kodrat që rrethojnë këtë pjesë të bregdetit.

Bukuria natyrore nuk ka sjellë vetëm vizitorë, por ka krijuar edhe një ekonomi që jeton me ritmin e sezonit veror. Restorantet familjare, peshkatarët dhe bizneset sezonale e lidhin aktivitetin e tyre me detin dhe turistët që zgjedhin këtë zonë. Gatimet tradicionale dhe prodhimet e freskëta të detit janë ndër arsyet pse shumë vizitorë rikthehen sërish në Kallm.

Megjithatë, rritja e numrit të vizitorëve sjell edhe sfida të reja. Zhvillimi i turizmit është një mundësi për ekonominë lokale, por njëkohësisht kërkon kujdes që ekuilibri natyror, i cili e bën vijën bregdetare nga Currilat drejt Kallmit kaq të veçantë, të mos cenohet.

Në ditët me fluks të lartë vizitorësh, trafiku dhe parkimet mbeten ndër vështirësitë kryesore. Por sfida më e madhe mbetet ruajtja e natyrës, që është edhe arsyeja pse vizitorët zgjedhin këtë plazh.

Për dekada me radhë, Kallmi nuk ishte një destinacion turistik. Për shkak të pozicionit të tij, kjo zonë konsiderohej me rëndësi strategjike dhe hyrja ishte e kufizuar. Ajo që sot vizitohet lirshëm, dikur ishte një hapësirë e kontrolluar.

Edhe sot, mes natyrës, ruhen gjurmë të asaj kohe. Struktura betoni, objekte të braktisura dhe pozicione vrojtimi dëshmojnë një kapitull të historisë së Kallmit që vazhdon të jetojë mes peizazhit.

Izolimi që për shumë vite e mbajti të mbyllur këtë zonë, në të njëjtën kohë e mbrojti nga ndërhyrjet e shumta. Falë kësaj, një pjesë e natyrës ka mbetur pothuajse e paprekur deri në ditët e sotme.

Sot, aty ku dikur patrullonin ushtarakët, ecin turistë nga vende të ndryshme të botës. Aty ku hyrja ishte e kufizuar, dëgjohen zërat e pushuesve, motorët e guidave turistike dhe dallgët që vazhdojnë të godasin të njëjtët shkëmbinj.

Kallmi nuk është vetëm një plazh. Është një vend ku natyra dhe kujtesa e një kohe tjetër bashkëjetojnë në të njëjtin breg. Një gji që dikur ishte i mbyllur për njerëzit, ndërsa sot mirëpret vizitorë nga e gjithë bota. Dhe kur dita i afrohet fundit, perëndimi i diellit në Adriatik ofron një tjetër pamje magjike të Kallmit./Tv Klan