Juventusi dorëzon një ofertë për mbrojtësin që po shkëlqen në Ligën Premier
Juventus po kërkon të përforcojë repartin e mbrojtjes për sezonin e ardhshëm dhe tashmë ka bërë hapa konkretë në këtë drejtim.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, klubi torinez ka dorëzuar një ofertë zyrtare me shkrim për mbrojtësin e Bournemouth, Marcos Senesi, në përpjekje për ta transferuar atë si lojtar të lirë gjatë verës.
Qendërmbrojtësi argjentinas pritet të largohet nga “Qershitë” kur kontrata e tij të përfundojë në muajin qershor.
Falë paraqitjeve të mira në Ligën Premier, Senesi është kthyer në një nga mbrojtësit më të kërkuar në treg, me disa klube të mëdha evropiane që po e monitorojnë nga afër situatën e tij.
Megjithatë, Juventusi duket se ka bërë hapin e parë konkret, pasi ka mbajtur kontakte me përfaqësuesit e lojtarit prej disa javësh.
Sipas raportimeve, 28-vjeçari është i entuziazmuar nga mundësia për të veshur fanellën e “Bianconerëve”.
Megjithatë, ai pritet të marrë vendimin përfundimtar vetëm pasi të dëgjojë ofertat edhe nga klubet e tjera të interesuara, ndër të cilat përmendet edhe Barcelona./Telegrafi/


