Please enter at least 3 characters.

Julian McMahon - aktori i njohur nga “Nip/Tuck” dhe “FBI: Most Wanted”, ndërron jetë në moshën 56-vjeçare pas një beteje të fshehtë me kancerin

Aktori australiano-amerikan Julian McMahon ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare, pas një beteje të gjatë dhe private me kancerin. Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij, Kelly, përmes një deklarate emocionuese të publikuar të premten.

“Me zemër të hapur, dua të ndaj me botën se burri im i dashur, Julian McMahon, u nda nga jeta në paqe këtë javë, pas një përpjekjeje të guximshme për të mposhtur kancerin”, – ka thënë ajo.

Shfaqja e fundit publike e aktorit ishte në muajin mars, gjatë festivalit SXSW në Austin të Teksasit, ku u pa së bashku me Nicolas Cage duke promovuar filmin psikologjik “The Surfer”. Atëherë, ai dukej i dobësuar, shkruan DailyMail.

Kelly – me të cilën Julian ishte martuar në vitin 2024 – shtoi se aktori kishte një dashuri të thellë për jetën, familjen, miqtë dhe fansat e tij.

“Juliani e donte jetën. E donte familjen, miqtë, punën e tij dhe fansat. Dëshira e tij më e madhe ishte të sillte gëzim në sa më shumë jetë të ishte e mundur”.

“Kërkojmë mbështetjen tuaj në këtë kohë të vështirë, që familja jonë të ketë hapësirë për të vajtuar në privatësi. Dhe për të gjithë ata që Julian u ka sjellë gëzim, shpresojmë të vazhdojnë ta gjejnë atë gëzim në jetë. Jemi falënderues për kujtimet” – përfundoi ajo në deklaratën për Deadline.

Julian McMahon u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Dr. Christian Troy në serialin “Nip/Tuck” të transmetuar nga FX për gjashtë sezone, nga viti 2003 deri në 2010. Për këtë rol, ai u nominua për një Golden Globe në vitin 2004.

Ai ishte gjithashtu pjesë e serialit “FBI: Most Wanted” në CBS nga viti 2020 deri në largimin e tij surprizë në vitin 2022, pas tre sezoneve. Karrierën e kishte nisur në telenovelën australiane Home & Away, ku luajti si Ben Lucini nga 1990 deri në 1991.

Më pas u shfaq në serialin amerikan “Profiler” (1996–2000), dhe fitoi zemrat e shumë fansave si Cole Turner në serialin “Charmed” (2000–2003; me një rikthim në 2005).

Në kinematografi, ai u bë i njohur si Dr. Doom, antagonisti i dy filmave të Marvel-it: Fantastic Four (2005) dhe Fantastic Four: Rise of the Silver Surfer (2007). Po ashtu, ai luajti përkrah Sandra Bullock në thrillerin psikologjik “Premonition”.

Juliani dhe Kelly ishin në një marrëdhënie për 11 vite përpara se të martoheshin në një ceremoni romantike në Lake Tahoe në vitin 2024. Kjo ishte martesa e tij e tretë.

Ai kishte një vajzë, Madison Elizabeth McMahon, me ish-bashkëshorten Brooke Burns, modele dhe aktore në “Baywatch”. Po ashtu, ishte i martuar edhe me këngëtaren dhe prezantuesen australiane Dannii Minogue, nga viti 1994 deri në 1995.

Juliani ishte djali i vetëm i Sir William McMahon, i cili ishte Kryeministër i Australisë nga viti 1971 deri në 1972 dhe një figurë e rëndësishme e Partisë Liberale të Australisë.

Në një intervistë për Herald Sun në vitin 2018, ai foli për sfidat e rritjes në një familje ku babai i tij kishte lindur në vitin 1908, duke e përshkruar përvojën si kontradiktore për mënyrat e prindërimit në shekullin e 20-të.

Roli i tij i fundit ishte një “mbyllje në rreth”, ku ai portretizonte pikërisht Kryeministrin Australian në serialin “The Residence” të Netflix – një dramë misterioze me elemente krimi.

Ndërsa fansat në mbarë botën vajtojnë humbjen e tij, kujtimi për Julian McMahon mbetet i gjallë përmes roleve të tij ikonike dhe trashëgimisë që ai ka lënë në ekran. /Telegrafi/