Please enter at least 3 characters.

Julian Alvarez i dërgon mesazh Atleticos nga Kupa e Botës: Dua të largohem

Sulmuesi argjentinas, Julian Alvarez, ka bërë të ditur se dëshiron të largohet nga Atletico Madridi gjatë kësaj vere, ndërsa klubet më të mëdha të Evropës tashmë kanë hyrë në garë për nënshkrimin e tij.

Barcelona, Paris Saint-Germain dhe Arsenali kanë shfaqur interes për 26-vjeçarin, ndërsa Real Madridi kishte bërë një ofertë prej 150 milionë eurosh muajin e kaluar, e cila u refuzua nga Atlético.

Pas fitores 2-0 të Argjentinës ndaj Austrisë në Kupën e Botës, Alvarez konfirmoi për ESPN se ka biseduar me drejtuesit e klubit dhe se mendon se një transferim do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjitha palët.

“E di që ndoshta nuk është koha e duhur për të folur, por gjithashtu nuk dua të fshihem. Fola me njerëzit në klub që duhej ta kisha bërë. Mendoj se transferimi është gjëja më e mirë për të gjithë. Dua ta bëj ëndrrën time realitet”, deklaroi sulmuesi argjentinas.

Megjithëse nuk ka zbuluar se ku dëshiron të vazhdojë karrierën, burime të ESPN bëjnë të ditur se Barcelona është destinacioni i tij i preferuar. Klubi katalanas po kërkon një pasues afatgjatë të Robert Lewandowskit dhe e ka bërë Alvarezin prioritet kryesor në merkato, pasi më parë siguroi shërbimet e Anthony Gordon nga Newcastle United për 70 milionë euro.

Sipas ESPN, interesimi për ish-sulmuesin e Manchester Cityt vazhdon edhe nga PSG dhe Arsenali. Ndërkohë, tentativat e Barcelonës dhe Real Madridit nuk janë pritur mirë nga Atletico Madridi.

Klubi madrilen reagoi ndaj interesimit të Barcelonës me një seri mesazhesh në rrjetet sociale, duke akuzuar rivalët për “rrjedhje të llogaritura informacioni, lajme të rreme dhe mungesë të vazhdueshme respekti”. Madje, ata publikuan edhe oferta ironike për Lamine Yamal, Pedri dhe Raphinha.

Një ton i ngjashëm u përdor edhe ndaj Real Madridit, me Atleticon që deklaroi se nuk do të “studionte dhe as merrte në konsideratë” asnjë ofertë për sulmuesin argjentinas. /Telegrafi/