Please enter at least 3 characters.

"Jemi në rresht të parë dhe s'mund ta shohim skenën", fansat e Harry Styles të frustruar me këngëtarin dhe skenografinë e tij gjatë turneut

Fansat e Harry Styles janë shprehur të pakënaqur pas koncertit të parë të turneut të tij të ri, pasi shumë prej tyre pretendojnë se, edhe pse kishin siguruar vende shumë pranë skenës, nuk e shihnin fare mirë performancën.

Styles (32 vjeç) e hapi turneun botëror “Together, Together” në Johan Cruyff Arena në Amsterdam, në maj 2026. Turneu parashihet të ketë 67 koncerte në shtatë qytete, përfshirë New Yorkun, São Paulon, Mexico Cityn, Melbournen dhe Sydneyn.

Menjëherë pas koncertit, rrjetet sociale u mbushën me ankesa nga fansat, sidomos ata që ndodheshin në zonën General Admission (GA) pranë barrierës (front row/barricade). Sipas tyre, struktura të skenës, të përshkruara si “ura”, u bllokonin pamjen e skenës kryesore për pjesë të mëdha të shfaqjes.

Një nga komentet që u shpërnda gjerësisht ishte: “Më falni, por çfarë është kjo? Jam te barriera dhe as që e shoh më skenën kryesore. Dua paratë mbrapsht. Kjo nuk është në rregull”, shkroi një fan, duke etiketuar edhe faqen zyrtare të ekipit të Styles.

Një tjetër fans u shpreh se zona frontale GA “nuk ia vlen”, pasi e pa këngëtarin nga afër “për një pjesë shumë të vogël të koncertit”, ndërsa pjesën tjetër pamja ishte e bllokuar.

Ka pasur edhe reagime të tjera në të njëjtën linjë, ku fansat pyesnin nëse është normale që nga disa pozicione “të mos e shohësh fare artistin”.

Në lidhje me ankesat, një përfaqësues i turneut i tha TMZ se zona e parterit/pit ishte konceptuar si hapësirë për lëvizje të lirë, që fansat të mund ta ndiqnin koncertin nga pozicione të ndryshme dhe të mos ishin të “ngujuar” në një vend.

Sipas tij, ky koncept “ka qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e performancave live të Harry-t”. Megjithatë, përfaqësuesi pranoi se një pjesë e skenës “mund ta ketë penguar pamjen” nga disa pika dhe se këto zona po kontrollohen me kujdes dhe do të rregullohen aty ku është e mundur, gjithmonë në përputhje me rregullat e sigurisë.

Mbetet të shihet nëse organizatorët do të bëjnë ndryshime të menjëhershme në strukturë ose në menaxhimin e zonës së parterit, ndërsa fansat presin një zgjidhje më të qartë për koncertet e radhës. /Telegrafi/