“Je me fat që nuk ndodhi në kohën time”, Sergio Ramos me mesazh të ashpër ndaj yllit argjentinas
Ish-kapiteni i Spanjës, Sergio Ramos, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së mesfushorit argjentinas Leandro Paredes pas finales së Kupës së Botës, duke e kritikuar për veprimet e tij pas humbjes ndaj Spanjës.
Finalja e Botërorit u shoqërua me tensione të mëdha pas përfundimit të ndeshjes, me disa përplasje mes futbollistëve të të dyja kombëtareve. Një nga momentet më të diskutuara ishte përplasja e Paredes me lojtarët spanjollë, për të cilën legjenda e futbollit spanjoll ka shprehur pakënaqësinë e tij.
Ramos e cilësoi sjelljen e mesfushorit argjentinas si mungesë respekti dhe theksoi se humbja nuk mund të shërbejë kurrë si arsye për të humbur kontrollin.
"Ajo që bëri Leandro Paredes ishte një mungesë e madhe respekti. Të reagosh me agresivitet vetëm sepse ke humbur është e papranueshme. Në futboll, ashtu si në jetë, duhet të dish edhe të humbësh", ka deklaruar Ramos.
Ish-mbrojtësi i Real Madridit shtoi se respekti ndaj kundërshtarit duhet të ekzistojë në çdo situatë, edhe kur dhimbja e humbjes është e madhe.
"Duhet të respektosh kundërshtarin, pavarësisht sa e dhimbshme është humbja. Humbja e një finaleje të Kupës së Botës dhemb shumë, por nuk është kurrë justifikim për të humbur kontrollin mbi veten", u shpreh ai.
Megjithatë, Ramos dha edhe një deklaratë të fortë duke kujtuar karakterin e tij luftarak gjatë karrierës.
"Duhet të jetë me fat që kjo nuk ndodhi në kohën time. Të premtoj se do ta kisha zgjidhur vetë", tha ish-kapiteni i Spanjës.
Deklarata e Ramosit ka bërë bujë të madhe në rrjetet sociale, pasi vjen nga një futbollist i njohur për karakterin e tij të fortë dhe për duelet e shumta në nivelet më të larta të futbollit botëror./Telegrafi/


