“Je me fat që humbe vetëm 4-2”, Mourinho zbulon bisedën që pati me yllin e Real Madridit
Jose Mourinho ka zbuluar se i ka thënë ish-lojtarit të tij te Roma, Dean Huijsen, se Real Madridi kishte qenë “me fat” që humbi vetëm 4-2 ndaj Benficës.
Mourinho dhe Huijsen u ritakuan të mërkurën mbrëma gjatë fitores 4-2 të Benficës ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
Skuadra portugeze kishte nevojë për një gol në minutat e fundit për të përmirësuar golavarazhin dhe për t’u kualifikuar në fazën “play-off” të eliminimit direkt.
Në mënyrë dramatike, ishte portieri Anatoliy Trubin ai që shënoi në çastet e fundit, pas një skeme nga goditja e lirë.
Mourinho u pa duke biseduar me Huijsen në tunel gjatë pushimit dhe më pas foli për këtë takim në intervistën pas ndeshjes për TNT Sports.
“Dean ishte lojtari im te Roma, është mik me fëmijët e mi dhe familjet tona njihen mirë, ndaj kam një marrëdhënie të mirë me të”, tha Mourinho për ribashkimin me Huijsen.
“Po flisnim thjesht për ndeshjen dhe, sigurisht, djali ishte i zhgënjyer. Por unë i thashë: ‘Keni qenë me fat! Keni qenë me fat që humbët vetëm 4-2’, sepse rezultati mund të ishte edhe më i thellë’”.
Mourinho e kishte sjellë Huijsen te Roma në formë huazimi nga Juventusi në janar të vitit 2024, por reprezentuesi i Spanjës zhvilloi vetëm tre ndeshje nën drejtimin e trajnerit portugez, i cili u shkarkua vetëm pak javë pas transferimit të Huijsen në “Olimpico”.
Mourinho mund të përballet sërish me emra të njohur në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve, pasi Interi do të luajë kundër njërës prej Benficës ose Bodo/Glimt në raundin e ardhshëm./Telegrafi/


