Please enter at least 3 characters.

Jankto, ylli çek që po kërkohet nga gjysma e Evropës dhe pritet të bëhet shitja më e shtrenjtë në histori të Udineses

2017/12/3057304_.jpg

Udinese njihet si një skuadër që rritë talente të mëdhenj dhe i shet për shuma shumë të mëdha.

E lojtari i ri që pritet t’i mbushë arkat e klubit të njohur italian është mesfushori anësor nga Çekia, Jakub Jankto.
Jankto ka shkëlqyer me fanellën e Udineses stinorin e kaluar dhe u bë mjaft i kërkuar, por klubi italian vendosi ta mbajë edhe për një stinor.

Udinese refuzoi oferta deri në 20 milionë euro për yllin e tyre dhe nuk ka bërë keq, pasi çmimi i lojtarit tani është dyfishuar.

21-vjeçari është duke shkëlqyer edhe këtë edicion me fanellën bardh e zi duke shënuar gola e duke dhuruar asistime.

Në 17 ndeshjet e para, Jankto ka shënuar pesë gola ndërsa ka bërë edhe pesë asistime për bashkëlojtarët e tij.

Në garë për lojtarin janë skuadrat e mëdha italiane si Roma, Juventus, Inter, Milan dhe Napoli.

Por mesfushori i talentuar nuk ka oferta vetëm nga Serie A, pasi atë po e duan edhe në Angli, Gjermani, Francë dhe Spanjë.

Arsenali, Evertoni, Tottenhemi dhe Chelsea janë skuadrat angleze që kanë gatishmëri për ta transferuar atë në Ligën Premier.

Valencia dhe Atletico Madrid e duan futbollistin e talentuar në La Liga, ndërkohë PSG dhe Monaco në Ligue 1.

Mediat gjermane ditë më parë kanë shkruar edhe për interesimin e Bayernit dhe Dortmundit për lojtarin.

Gjithsesi me gjithë këto skuadra të interesuara, më së shumti pritet të fitojë Udinese.

Ekipi i Giampaolo Pozzos ka bërë të qartë se nuk do ta pranojë asnjë ofertë nën 40 milionë euro për yllin e tyre.

(Foto/Getty Images)

Kësisoj largimi i reprezentuesit çek nga ‘Dacia Arena’, është i sigurt, nëse jo në janar atëherë në afatin kalimtar të verës.

Jankto gjithashtu pritet të bëhet shitja më e shtrenjtë në histori të klubit, pasi aktualisht këtë rekord e mbanë Alexis Sanchez kur iu bashkua Barcelonës gjashtë vite më parë për një shumë rreth 30 milionë euro. /Telegrafi/