Please enter at least 3 characters.

Janjiq: Nuk do të ketë Asociacion, por status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara për shkëputjen e Kishës Ortodokse Serbe nga ndikimi i Moskës dhe afrimin e saj me Kishën Greke dhe Patriarkanën Ekumenike në Stamboll, ka deklaruar historiani dhe njohësi i zhvillimeve politike, etnike dhe fetare në Ballkan, Dushan Janjiq.

Në një intervistë për KosovaPress, themeluesi i Forumit për Marrëdhënie Etnike tha se kjo çështje është pjesë e një projekti më të gjerë gjeopolitik, ku sipas tij, Uashingtoni synon të rregullojë edhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Sipas Janjiqit, procesi po zhvillohet përmes një “dialogu shpirtëror”, i cili tashmë ka filluar dhe ku përfshihen aktorë ndërkombëtarë.

“Ambicia gjeopolitike është që Kisha Ortodokse Serbe të shkëputet nga ndikimi i Moskës ose të forcohet në raport me atë ndikim dhe të fuqizojë bashkëpunimin me Greqinë dhe Patriarkanën Ekumenike”, tha Janjiq.

Ai shtoi se në këtë proces pritet të ketë rol edhe Patriarku Ekumenik, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e kishte dekoruar më herët, duke përmendur edhe rëndësinë e tij në Ballkan.

Janjiq vlerësoi se pas këtij zhvillimi qëndron një lëvizje gjeopolitike për të zvogëluar ndikimin e Kishës Ortodokse Ruse në Serbi.

Status i veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë

Duke folur për Kosovën, Janjiq tha se diskutimet ndërkombëtare me përfshirjen e SHBA-ve synojnë t’i japin Kishës Ortodokse Serbe një status të ngjashëm me ekstraterritorialitetin.

Sipas tij, ky model do të garantonte autonomi të brendshme për kishën, liri të lëvizjes për klerikët dhe mbrojtje të pronave të saj, por pa dalë jashtë kuadrit ligjor të Kosovës.

Ai kritikoi disa vendime të autoriteteve të Kosovës ndaj klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe, duke i cilësuar si gabime politike që duhet të rishikohen.

“Kisha Ortodokse Serbe, njësoj si Kisha Katolike, duhet të ketë një shkallë ekstraterritorialiteti. Brenda kishës duhet të ekzistojë autonomi në raport me autoritetet lokale, por jo që ajo të veprojë kundër ligjit”, deklaroi Janjiq.

Ai përmendi edhe çështjen e Manastirit të Deçanit, duke thënë se ish-krerët politikë të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi, kanë bërë përparime në trajtimin e çështjes së pronave të këtij manastiri.

Janjiq: Nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe

Në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Janjiq tha se sipas tij nuk do të krijohet një strukturë me kompetenca të ngjashme me një “shtet brenda shtetit”.

Ai pretendoi se zgjidhja mund të jetë krijimi i një Këshilli Kombëtar Serb, sipas modeleve të komuniteteve të tjera në Serbi.

“Nuk do të merrni një shtet brenda shtetit”, tha Janjiq.

Deklaratat e tij vijnë pas vizitës në Kosovë të pastorit amerikan Mark Burns, këshilltar joformal i Donald Trumpit, i cili në fillim të korrikut vizitoi Patriarkanën e Pejës, Manastirin e Deçanit dhe Graçanicën, i shoqëruar nga Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Burns deklaroi se vizita e tij kishte karakter shpirtëror dhe jo politik, ndërsa tha se shqetësimet që dëgjoi për liritë fetare do t’ia përcillte Departamentit Amerikan të Shtetit.