Ja çfarë deklaruan Sokoli e Rama pas sfidës Istogu-Prishtina
Istogu dhe Prishtina dje luajtën pa gola në “Demush Mavraja”, në kuadër të xhiros së 12-të të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.
Kreu i bankinës së “bardhekaltërve”, thotë se është i kënaqur me një pikë, por i pakënaqur që skuadra e tij nuk i realizoi katër-pesë raste për gola.
“Ishte ndeshje korrekte në të gjitha aspektet dhe para se gjithash ishte një atmosferë sportive dhe kjo është shumë e rëndësishme të ndodh tek ne. Dhe ajo çka solli loja mund të jem, por edhe të mos jem i kënaqur. I kënaqur se nuk pësuam humbje dhe morëm një pikë, kurse i pakënaqur, sepse i kemi lëshuar katër-pesë raste që është dashur t’i konkretizonim dhe të fitonim. Jam po ashtu i kënaqur, sepse krejt kjo është arritur pa gjysmën e futbollistëve që na munguan. I uroj të dy palë futbollistët për angazhimin që bënë”, ka thënë Sokoli për faqen zyrtar të klubit prishtinas.
Ndërkohë, Nazmi Rama, trajner i Istogut, thotë se është i kënaqur me barazimin kundër Prishtinës. Ai lavdëron perfomancën e lojtarëve të tij.
“Jam i kënaqur sot, sidomos duke i pasur parasysh dy ndeshjet e kaluara që pësuam dhe ishim të pafat. Sidomos pas ndeshjes së fundit me Besën ka qenë e vështirë t’i rikthejmë futbollistët, por ja që ia arritëm kundër Prishtinës, një Prishtine që për mendimin tim, me gjithë rezultatet, është skuadra më e mirë në ligë. Jam më se i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të mi, edhe pse na munguan tre futbollistë, por kundër skuadrës më kualitative në ligë të marrësh një pikë është kënaqësi”, ka theksuar Rama. /Telegrafi/


