Please enter at least 3 characters.

Ishte hero i Marokut ndaj Brazilit, gjiganti evropian arrin marrëveshje për transferimin e tij

Ismael Saibari është shumë pranë transferimit te Bayern Munich, pasi gjiganti bavarez ka arritur marrëveshje me PSV Eindhoven për kartonin e sulmuesit maroken.

Sipas raportimeve, Bayern kishte arritur më herët marrëveshjen personale me lojtarin, i cili pritet të nënshkruajë kontratë deri në qershor të vitit 2031. Pas dakordimit me futbollistin, palët kanë finalizuar edhe negociatat mes klubeve.

Tarifa e transferimit pritet të jetë rreth 50 milionë euro, duke përfshirë shumën bazë dhe bonuset e ndryshme të lidhura me paraqitjet dhe sukseset sportive.

Aktualisht, Saibari ndodhet në Amerikën e Veriut me Kombëtaren e Marokut, ku tashmë ka lënë gjurmë në Kupën e Botës 2026. 25-vjeçari shënoi golin e parë për marokenët në barazimin 1-1 ndaj Brazilit në ndeshjen hapëse të grupit.

Kontrollet mjekësore janë planifikuar të zhvillohen gjatë javës së ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara se transferimi të zyrtarizohet nga të dy klubet.

Saibari vjen pas një sezoni fantastik me PSV Eindhoven. Në 37 paraqitje në të gjitha garat, sulmuesi maroken realizoi 19 gola dhe kontribuoi me nëntë asistime, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës holandeze.

Me afrimin e tij, Bayern synon të shtojë më shumë kreativitet dhe efikasitet në repartin ofensivë, ndërsa Saibari pritet të jetë një nga transferimet më të rëndësishme të verës për kampionët gjermanë. /Telegrafi/