Inspektorati paralajmëron bizneset: Tërhiqni menjëherë produktet e qumështit që nuk përputhen sipas raporteve zyrtare të AUV-it
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) u bën thirrje të gjitha bizneseve prodhuese të produkteve të qumështit, marketeve dhe çdo subjekti tjetër që tregton produkte të qumështit, që menjëherë të tërheqin nga tregu të gjitha produktet e konstatuara si të papërputhshme, sipas raporteve zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nr. 4942, datë 27.07.2026, dhe nr. 5203, datë 10.08.2026.
Sipas një njoftimi për media thuhet se IQMT, në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, përkatësisht nenin 9, paragrafët 5 dhe 6, nga dita e sotme do të intensifikojë kontrollet në të gjitha subjektet që tregtojnë këto produkte.
"Çdo biznes në të cilin gjatë inspektimit do të konstatohet prania e produkteve të qumështit me mospërputhje, të cilat nuk janë tërhequr nga tregu sipas kërkesave të inspektorit, do t’i nënshtrohet masave ndëshkuese, në përputhje me nenin 14, paragrafi 1, pika 1.1 të Ligjit Nr. 08/L-279".
Siç thuhet në njofitm këto janë dispozitat ndëshkuese:
Sipas nenit 14 të Ligjit Nr. 08/L-279:
“Me gjobë në shumë prej tre mijë (3.000) deri në nëntë mijë (9.000) euro dënohet personi juridik i cili:
1.1. nuk eliminon parregullsitë e konstatuara nga inspektori brenda afatit të përcaktuar në procesverbal dhe nuk vepron sipas kërkesës së inspektorit, në pajtim me nenin 9, paragrafin 5 të ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut”.
IQMT thekson se mos tërheqja nga tregu e produkteve të konstatuara me mospërputhje, përfshirë produktet me përmbajtje të padeklaruar, përbën shkelje të kërkesave ligjore dhe cenon interesat dhe të drejtat e konsumatorëve.
Për këtë arsye, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, (MINTI) përmes IQMT-së, do të intensifikojë edhe më shumë kontrollet në treg, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të kërkesave ligjore.
IQMT i fton të gjitha bizneset që të veprojnë menjëherë dhe me përgjegjësi, duke i tërhequr nga tregu produktet e identifikuara me mospërputhje dhe duke respektuar të gjitha kërkesat e organeve kompetente.
Mbrojtja e konsumatorit dhe siguria e produkteve në treg janë përgjegjësi e përbashkët.


