Inspektorati në Ferizaj shqipton gjoba për hedhjen e mbeturinave në vende të paautorizuara
Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka vazhduar aksionet ndaj personave që hedhin mbeturina në vende të papërcaktuara, duke shqiptuar gjoba të tjera për ndotjen e hapësirave publike.
Sipas kryeinspektorit, Feriz Hyseni, masat janë ndërmarrë pas evidentimit të rasteve të hedhjes së mbeturinave në rrugët “12 Qershori”, “Bilall Shala” dhe “Imri Halili”.
“Gjobat janë shqiptuar në rrugët ‘12 Qershori’, ‘Bilall Shala’ dhe ‘Imri Halili’. Persona të ndryshëm kanë hedhur mbeturina në vende që nuk janë të përcaktuara për hedhjen e tyre. Pas marrjes së informacionit, Inspektorati Komunal ka ndërmarrë masat përkatëse dhe ka shqiptuar gjoba ndaj personave përgjegjës”, ka deklaruar Hyseni.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Inspektoratin Komunal dhe të raportojnë rastet e hedhjes së mbeturinave në vende të papërcaktuara.
Hyseni ka theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e ambientit në qytetin e Ferizajt. /Telegrafi/


