Inspektorati në Drenas shton kontrollet për menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e shëndetit publik
Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Drenasit ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të masave për menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e shëndetit publik gjatë sezonit veror.
Sipas njoftimit të komunës, kontrollet inspektuese po zhvillohen në pika të ndryshme të territorit të Drenasit, me fokus të veçantë në hapësirat e grumbullimit të mbeturinave, subjektet afariste, veçanërisht ato të gastronomisë, si dhe hapësirat publike.
Inspektorët janë duke verifikuar zbatimin e obligimeve të përcaktuara sipas urdhëresës së Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), ndërsa kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Komuna ka bërë të ditur se ndaj subjekteve apo personave që konstatohet se nuk respektojnë dispozitat ligjore dhe masat e përcaktuara do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore.
“Inspektimet do të vazhdojnë nga të gjithë zyrtarët e Drejtorisë, me kontrolle të shtuara dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj atyre që konstatohet se nuk respektojnë dispozitat ligjore dhe urdhëresën në fuqi”, thuhet në njoftim.
Drejtoria e Inspeksionit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë masat për menaxhimin e mbeturinave, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe ambientit. /Telegrafi/


