Influencuerja humb jetën pasi ra nga kati i 27-të i një ndërtese në Dubai
Një influencuere ka humbur jetën pasi ra nga kati i 27-të i një ndërtese shumëkatëshe në Dubai.
Kauana Bilhar, 27 vjeçe, e cila kishte fituar një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale falë punës së saj si modele dhe përmbajtjeve për udhëtimet, humbi jetën pasi ra nga kulla, duke nxitur autoritetet të nisin një hetim.
Policia po heton rrethanat e ngjarjes dhe nuk ka përjashtuar asnjë pistë, përfshirë mundësinë e një aksidenti, vetëvrasjes, vrasjes apo femicidit.
Vdekja e saj u konfirmua nga nëna, Darla Bilhar, më 7 korrik.
"Nuk ka fjalë që mund të shprehin madhësinë e boshllëkut dhe mallit që ke lënë pas," shkroi Darla.
"Sot nuk je më pranë meje, ashtu siç kisha ëndërruar, por do të jetosh përgjithmonë brenda meje.
“Të dua pafundësisht, bija ime. Deri në ditën kur do të takohemi sërish."
Darla ka udhëtuar drejt Dubait për të ndjekur nga afër hetimet dhe për të organizuar kthimin e trupit të së bijës në Brazil.
Në një nga postimet e saj të fundit në rrjetet sociale, Kauana kishte ndarë me ndjekësit lajmin e fejesës me partneren e saj, Barbara Abrantes.
Ajo publikoi fotografi nga festimi më 25 qershor, postim që besohet të ketë qenë i fundit i saj në rrjetet sociale.
Data e saktë e vdekjes së modeles braziliane ende nuk është bërë publike.
Nëna e saj, e shkatërruar nga dhimbja, ka kërkuar respekt për kujtimin e së bijës, pasi profilet e saj në rrjetet sociale janë mbushur me komente keqdashëse.
"Ajo meriton respekt”.
“Nuk mund t'u përgjigjet më akuzave, komenteve dashakeqe dhe historive që po shpiken për të”.


