India pritet të ulë tarifat për makinat në 40% - në marrëveshjen tregtare me BE-në
India planifikon të ulë ndjeshëm tarifat për makinat e importuara nga Bashkimi Evropian, nga deri në 110% aktualisht në 40%, në kuadër të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me BE-në.
Sipas burimeve, ulja do të zbatohet fillimisht për një numër të kufizuar automjetesh me çmim mbi 15 mijë euro dhe me kalimin e kohës tarifat mund të zbresin deri në 10%.
Marrëveshja pritet të shpallet zyrtarisht të martën dhe është cilësuar si “marrëveshja e të gjitha marrëveshjeve”.
Automjetet elektrike do të përjashtohen nga lehtësimet për pesë vitet e para, për të mbrojtur prodhuesit vendas.
Ulja e tarifave pritet të favorizojë prodhues evropianë si Volkswagen, BMW dhe Mercedes-Benz.
Aktualisht, tregu indian dominohet nga Suzuki dhe markat vendase Mahindra dhe Tata. /Telegrafi/


