Idetë për nxjerrjen e ligjeve duke bashkëpunuar me shoqërinë civile
Ligjet nxirren nga Kuvendi, por idetë për ligje të reja vijnë nga burime të ndryshme në shoqëri - shtet. Ato mund të vijnë nga politikat e partive në qeveri, mund të vijnë nga idetë e deputetëve të Kuvendit, nga departamentet e ndryshme të qeverisë ose nga përfaqësues te elitës intelektuale dhe nga shoqëria civile.
Në fillim të çdo viti qeveria e miraton Strategjinë legjislative, ku parasheh se cilat fusha shoqërore duhet mbuluar duke nxjerrë ligje të reja, ose duke futur në kuadër të strategjisë ligje të cilat duhet ndryshuar. Këto ide mund të vijnë nga vetë Kabineti qeveritar, kjo do të thotë se mund të vijnë nga ministritë përkatëse të cilat janë kompetente për t’i zbatuar ligjet e caktuara, po ashtu idetë për ligje të reja mund t’i futë në plan qeveria edhe duke pasur parasysh kërkesat e shoqërisë civile, por kjo zakonisht ndodhë më tepër në demokracitë e zhvilluara perëndimore, kurse tek ne dhe në përgjithësi në Ballkan nuk është shumë e njohur kjo formë e presionit demokratik që ta shtyjë qeverinë t’i ketë parasysh kërkesat e shoqërisë civile për ndonjë ligj të ri.
Shikuar dhe nëse e bëjmë një krahasim me format e bashkëpunimit të qeverive të shteteve të tjera perëndimore me shoqërinë civile, ku atje ka debate të mjaftueshme për iniciativa të reja legjislative, si nga shoqëria civile ashtu edhe nga komuniteti i biznesit, në përgjithësi në Ballkan bashkëpunime të tilla janë shumë të zbehta, për të mos thënë se fare nuk ka të tilla bashkëpunime. Kjo ndodhë për shumë arsye, por si arsye themelore do të kisha thënë se është mungesa e një tradite bashkëpunimi ndër institucional, demokracia e brishtë dhe në zhvillim, gjendja ekonomike jo stabile, mungesa e kushteve infrastrukturore dhe mungesa e fondeve të veçanta për bashkëpunime të tilla.
Bashkëpunimi qeveri shoqëri civile do të identifikonte shumë nevoja të shoqërisë të cilat do të kishin nevojë për t’u rregulluar me ligje përkatëse dhe do të lindshin shumë ide funksionale, ku dhe do të dalin shumë rezultate pozitive në vënien në funksion të qytetarëve (shoqërisë civile) dhe njëherësh do të shtohej edhe interesimi i tij për përkujdesjen ndaj punës së qeverisë dhe do të ketë një vetë edukim në këtë drejtim, ku do të shtohet edhe serioziteti i qasjes së kontrollit në punën e qeverisë së atij shteti. Ky bashkëpunim ndërshoqëror, ku do të përfshinte të gjithë faktorët relevantë për krijimin e ideve të reja për plotësimin e kërkesave të shtetasve/qytetarëve që të gëzojnë të drejtat e tyre që u garantohen me Kushtetutë dhe ligje, do të kishte si rezultat krijimin e ideve të reja origjinale për ligje të caktuara, të cilat pastaj shumë lehtë do të mirëpriten nga qytetarët dhe do të respektohen dhe kështu do të krijohet një traditë dhe kulturë e respektimit të ligjeve dhe përfshirjes së tyre në përditshmërinë e shtetasve/qytetarëve.
Shoqëria e cila nuk është të paktën pjesëmarrëse indirekte e krijimit të ideve për identifikimin e kërkesave për t’i rregulluar çështjet e caktuar me ligje, dhe këto ide krijohen nga burokratët profesional në zyrat e organeve të shtetit, fare pa debate publike, këto ligje do të jetë shumë vështirë të jenë të pranueshme në të ardhmen me rastin e kërkesave nga qeveria për respektim të ligjeve, sepse shoqëria nuk do të mund t’i pranojë si të vetat, se është totalisht e pa edukuar dhe e pa njoftuar në këtë drejtim dhe me rëndësinë e tyre. Këtu pra do të ketë një shkëputje të traditës së bashkëpunimit ndërshoqëror dhe kërkesave për zbatim të ligjeve, të cilat janë krijuar nga qeveria dhe fuqizuar nga Kuvendi.
Ligjet përgatitën dhe behën për popullin pa dallime ndër komunitete, por ato nuk do të thotë që duhet bërë vetëm në stilin profesional, ato së pari, duhet përshtatur kulturës dhe traditës, pastaj mentalitetit të popullit, kushteve ekonomike të tij, standardit të jetesës së tij dhe kërkesave mesatare që do të mund të shfaqeshin eventualisht nga idetë e shoqërisë. Po në këtë drejtim qeveria duhet të bëjë plane afatgjata se si të nxisë interesimin e qytetarëve për të dhënë kontributin e tyre në debate publike për ligje të caktuara, dhe të debatohet detalisht për projekt – draftin (projektligjin), i cili synohet që në të ardhmen e afërt të bëhet ligj, pavarësish se jetën e cilit komunitet do ta rregullojë në të ardhmen.
Do të ishte absurde, nëse ligjet do të kopjoheshin nga shtetet tjera dhe do të tentohej që po të njëjtat të adaptohen në sistemin shoqëror të vendit tonë, sepse në të ardhmen këto ligje do të jenë të pa pranuara nga ana e shoqërisë tonë. Për shembull, ne kemi ligjin i cili përcakton lartësinë e dënimit me gjobë në veprat e kundërvajtjes që shkaktohen në komunikacionin e trafikut automobilistik, ku këto lloj gjobash janë në shpërputhje të lartë me standardin jetësor të gjendjes ekonomike në Kosovë, ku gjoba më e ulët është sa 1/3 e të ardhurave mesatare për muaj të një të punësuari, por aq më e papërshtatshme dhe jo serioze është mos arritja e efektit të këtyre gjobave, sepse ato në të shumtën e rasteve në pamundësi të kryerjes së pagesës nga kundërvajtësit, këto dënime me gjobë shndërrohen/zëvendësohen nga Gjykata në dënime me burgim, ku kjo tek të rinjtë e shumtë mund të shkaktojë një efekt të kundërt (zëvendësohen me mbajtje të burgut, ku një ditë në burg zëvendësohet me shumën prej 15 €), ku dhe në to bëhen lëshime, sepse është e pamundur të përballohen pagesat për ta përmbushur obligimin financiar që del nga shqiptimi i asaj gjobe të cilën e jep Gjykata.
Nga e gjithë kjo del se assesi nuk mund të arrihet efekti i këtij sistemi gjobash të paraparë me ligj, kjo do të thotë se është duke ndodhur e kundërta ligji nuk respektohet, ndërsa kemi rritje të vazhdueshme të kundërvajtësve. Shembulli tjetër i kundërt me këtë që sapo e elaborova është ai me komunitetin e artistëve, ku organizohen debate për shembull për projektligjin për Teatrin Kombëtar, atyre u servohet një draft i marrë si model diku nga një shtet shumë i zhvilluar ekonomikisht, i cili për shembull parasheh edhe implikime të larta buxhetore, në këtë debat marrin pjesë një numër simbolik i atyre që në të ardhmen drejtpërdrejtë u preken interesat nga po ky ligj, ata të cilët synojnë ta imponojnë këtë projekt, lobojnë maksimalisht për interesat e dikujt tjetër, i cili fare nuk është as për së afërmi i informuar, se cila është rëndësia e këtij projekti ligjor dhe kështu disi arrihet një marrëveshje dhe behet ligji, por pa u llogaritur pasojat që në të ardhmen mund të jenë, si për shembull mos zbatimi i tij as 51%.
Për ta shmangur këtë duhet që këtyre projekteve t’u paraprihet me një debat serioz, nga i cili do të rezultonin shumë ide konkrete dhe të pranueshme që për një të ardhme të afërt apo të largët do të llogaritej që ligji do të jetë i pranueshëm nga komuniteti përkatës të cilit i adresohet, sepse është origjinal dhe konform kërkesave të tyre.
Në vendin tonë ende mungon një kulturë e bashkëpunimit ndërmjet grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe qeverisë. Në këtë drejtim po ashtu ne jemi ende të papërvojë, ku fare pak ka iniciativa apo projekte konkrete për të ndërmarrë iniciativa legjislative nga shoqëria civile (për ta shfrytëzuar nenin 79 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila e garanton këtë të drejtë). Deri më tani për të mos thënë fare, kanë ekzistuar dy tri iniciativa të tilla, ajo e KDI-së për ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale, ku nuk u morr seriozisht nga Kuvendi dhe ajo e OJQ “Lobimi për ligjin dhe demokracinë” për nxjerrjen e “Ligjit për statusin e verbërisë” ku u përkrah nga Fondacioni Fridrich Ebert Shtiftung, dhe u realizuan debate në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës për nxjerrjen e këtij ligji, por që mbeti pa u arritur kërkesa deri tek Kuvendi, por nga e gjithë kjo doli edhe një e mirë, sepse Qeveria e ka në strategjinë legjislative të vitit 2010 edhe këtë projektligj, ku është një shpresë nga ana e komunitetit të verbër se ata ka mundësi deri në fund të vitit të kenë ligjin i cili do të garantojë të drejtat e tyre dhe do të rregullohet jeta e tyre me standarde ndërkombëtar.
Mos bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile në një vend ka mundësi të qojë në mos funksionim të mirëfilltë të shoqërisë dhe demokracisë…
(Autori është asistent në Katedrën Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të UP-ës)


