Ibrahimovic thumbon Belgjikën: Më zuri gjumi duke i parë
Kombëtarja e Belgjikës i zhgënjeu sërish tifozët e saj duke barazuar 0-0 me Iranin në raundin e dytë të Grupit të Kupës së Botës. Pas barazimit 1-1 me Egjiptin në ndeshjen hapëse, belgët mbeten ende pa fitore, ndërsa kualifikimi për fazën tjetër tashmë është vënë në dyshim serioz.
Ndeshja ishte e luftuar, por pa shumë raste të pastra shënimi, ndërsa Belgjika nuk arriti të gjejë rrugën drejt golit edhe përkundër dominimit në posedim.
Zlatan Ibrahimovic, i cili nuk mbeti aspak i impresionuar nga performanca, e komentoi ndeshjen nga Los Angeles pa asnjë hezitim.
“Më zuri gjumi gjatë kësaj ndeshjeje. Nuk dua të humbas asnjë fjalë për këtë”, tha ai shkurt.
Në kampin belg pas ndeshjes kishte zhgënjim të madh, sidomos pas përjashtimit të Ngoyas në minutën e 67-të, i cili e komplikoi edhe më shumë situatën për skuadrën.
“Është normale që jemi shumë të zhgënjyer. Patëm shumë raste, por topi thjesht nuk shkonte në rrjetë. Duhet ta analizojmë këtë ndeshje. Luajtëm me shumë emocione dhe nuk ruajtëm qetësinë në momentet e rëndësishme. Tani duhet të fitojmë ndeshjen tjetër”, tha Romelu Lukaku.
Edhe Nicolas Raskin ndau të njëjtin mendim, duke theksuar vështirësinë e përballjes me një kundërshtar të mbyllur në mbrojtje.
“E dinim që do të luanim kundër një blloku të ulët dhe do të ishte e vështirë. Në ndeshjen tjetër duhet të synojmë absolutisht tre pikët dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë në grupin tonë”, tha ai. /Telegrafi/


