Hyseni: Gjilani drejt shndërrimit në qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe industrial
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me ministren në detyrë të Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, për krijimin e Parkut Industrial në Gjilan.
Sipas Hysenit, ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit ekonomik të qytetit, rritjes së punësimit dhe krijimit të kushteve më të favorshme për bizneset dhe investitorët.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik të qytetit tonë, krijimit të vendeve të reja të punës dhe mbështetjes së bizneseve e investitorëve. Gjilani po krijon kushtet për një të ardhme më të fortë zhvillimore”, ka deklaruar Hyseni.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi me institucionet qendrore do të vazhdojë me qëllim që Gjilani të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe industrial në vend.
“Falënderojmë Qeverinë e Kosovës dhe ministren Kusari-Lila për bashkëpunimin e vazhdueshëm”, është shprehur kryetari i Gjilanit.
Nga ana tjetër, ministrja në detyrë e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se marrëveshja vjen pak javë pas shpalljes së Parkut Industrial në Gjilan nga Qeveria e Kosovës.
Sipas saj, ky projekt synon të krijojë kushte më të mira për investime, zgjerim të aktiviteteve prodhuese dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik lokal, krijimit të kushteve më të mira për investime, zgjerimit të aktiviteteve prodhuese dhe hapjes së vendeve të reja të punës”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo ka theksuar se përmes këtij bashkëpunimi do të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për zhvillimin e parkut industrial, duke promovuar parimet e ekonomisë qarkore, përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, mbrojtjen e mjedisit dhe mundësitë e barabarta për qytetarët.
“Gjilani, ashtu si shumë komuna të tjera të Kosovës ku MINTI po zhvillon dhe mbështet parqet industriale, po forcon bazat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për një të ardhme më të mirë për bizneset dhe qytetarët e saj”, ka shtuar Kusari-Lila. /Telegrafi/


