Historia tragjike e Martha Mitchellit - sinjalizueses së Watergate-it që u tall dhe u përqesh
Martha Mitchell ishte një grua ekstravagante, bashkëshorti i së cilës ishte i përfshirë në skandalin Uotergejt [Watergate]. Pretendimet e saj tronditëse për një rrëmbim të dhunshëm dhe për një “punë të pistë” u tallën si iluzion - derisa dolën të ishin të vërteta.
Nga: Matt Glazebrook / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Martha Mitchell ishte një figurë e veçantë; për këtë të gjithë pajtoheshin. E lindur në Pajn Blaf të Arkanzasit, në vitin 1918, ajo u bë një organizatore e spikatur e ndejave në Uashington - pas emërimit të bashkëshortit të saj të dytë, John Mitchell, në Shtëpinë e Bardhë të Nixonit.
Asaj i pëlqente alkooli dhe, ndonjëherë, pas disa pijeve, i pëlqente t’u bënte telefonata të vona nate gazetarëve - për të përhapur thashetheme. Personaliteti dhe prania e saj e fuqishme ia dhanë nofkën “Marta tjetër e Uashingtonit.” Sinqeriteti i saj bëri që ta quanin edhe “Goja e Jugut.”
Por, në vitin 1972, kur bashkëshorti i saj ishte i përfshirë në skandalin Uotergejt dhe ajo u bë, sipas fjalëve të gazetarëve Bob Woodward dhe Carl Bernstein, “kori grek i [...] dramës, duke lëshuar paralajmërimet e saj për këdo që donte t’i dëgjonte,” ekscentricitetet e Marthas u përdorën kundër saj.
Ajo u shpërfill si alkooliste, trilluese dhe kërkuese e publicitetit, edhe pse e vërteta e përgjithshme e pretendimeve të saj për një “punë të pistë” po bëhej e qartë.
Akuzat e saj më specifike dhe më tronditëse - për një rrëmbim të dhunshëm nga bashkëpunëtorët e Nixonit, për mbajtje peng dhe drogim - vetëm sa forcuan imazhin e saj si një dëshmitare që dukej e pabesueshme. “E gjithë kjo është e pabesueshme,” pranoi ajo në një intervistë televizive për BBC-në me David Frostin, në shtator të vitit 1974. “Është si të lexosh një roman të James Bondit. Nuk mund ta besosh. As unë nuk mund ta besoj çfarë më ka ndodhur.”
Vite pas vdekjes së saj, psikologu i Harvardit, Brendan Maher, përdori emrin e saj për të përshkruar një fenomen psikologjik: efektin Martha Mitchell, ku përvojat e çuditshme, por reale, të një pacienti diagnostikohen gabimisht si deluzione. Por, vetëm kohët e fundit ka nisur të pranohet siç duhet rëndësia e ndërhyrjeve të saj në çështjen Uotergejt, sado të çrregullta dhe të motivuara nga interesi personal të mund të kenë qenë.
Në vitin 1977, Richard Nixoni i kishte thënë David Frostit se “po të mos ishte Martha Mitchelli, nuk do të kishte pasur Uotergejt.” Ai nënkuptonte se sjellja e saj e paparashikueshme kishte bërë që aleati i tij i ngushtë, John Mitchell, të humbiste përqendrimin. Në realitet, ajo iu afrua shumë zbulimit të të gjithë ndërmarrjes kriminale, para se të fillonte mbulimi i ngjarjes.
Një telefonatë dramatike
Martha Beall u rrit në një qytet të vogël, si fëmija i vetëm i prindërve të pasur. Dikur aspirante për aktore, ajo njihej si llafazane dhe kokëfortë. Studioi në Universitetin e Arkanzasit dhe më pas në Universitetin e Majamit. Pas diplomimit dhe një periudhe të shkurtër si mësuese, mori një punë si recepsioniste pranë gjeneralit të Arsenalit të Pajn Blafit, u transferua me të në Uashington dhe atje njohu dhe u martua me një kapiten të ushtrisë.
Pas lirimit nga shërbimi të bashkëshortit të saj, çifti u zhvendos në Nju-Jork, ku përfundimisht u divorcuan pas 11 vjetësh martese. Disa muaj më vonë, Martha u martua sërish, këtë herë me avokatin e pasur të Menhetenit, John Mitchell. Dhe, 11 vjet pas kësaj, ajo u gjend përsëri në Uashington, banore e kompleksit ekskluziv të apartamenteve Uotergejt, si bashkëshortja e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara.
Në Uashington, Martha u afirmua si një pjesëmarrëse e shoqërueshme dhe entuziaste e festave, me një ndjenjë të veçantë stili, si “më e spikatura” ndër gratë e kabinetit të Nixonit - sipas një raporti të atëhershëm të New York Times-it. Shumë shpejt, ajo u bë e njohur edhe si më e drejtpërdrejta dhe më e pakujdesshmja në të folur, duke i thënë një gazetari televiziv, në nëntor të vitit 1969, se protestat kundër luftës në Vietnam ia kujtonin bashkëshortit të saj Revolucionin Rus, gjë që i solli nam të keq në mbarë vendin.
Rreth të njëjtës kohë, ajo shkaktoi një trazim më lokal duke u bërë një seri telefonatash grave të Uashingtonit dhe stafit senatorial, duke ushtruar presion të madh mbi ta (disa thanë se i kërcënonte) për të përdorur ndikimin e tyre në favor të njërit prej kandidatëve të preferuar të bashkëshortit të saj për Gjykatën Supreme - gjykatësit pro-segregacionit dhe kundër sindikatave, Clement Haynsworth.
Telefoni vazhdoi të ishte arma e preferuar e Marthas. Në prill të vitit 1970, ajo bëri një seri telefonatash të vona nate te Arkansas Gazette, duke i nxitur ata ta “kryqëzonin” senatorin lokal J. William Fulbright për kundërshtimin e një tjetër kandidati segregacionist për Gjykatën Supreme, G. Harrold Carswell. Në vitin 1971, ajo telefonoi gazetarin e Washington Post-it, Bob Woodward, pasi ai e kishte përmendur si një nga banorët e Uotergejtit që ishte ankuar për ndotjen nga një central energjie që, siç doli më vonë, furnizonte drejtpërdrejt Shtëpinë e Bardhë.
“Zemër,” citohet të ketë thënë ajo, “nuk më intereson nëse Johni dhe z. President duhet të punojnë me qirinj; kam mësuar mjaftueshëm në Pajn Blaf të Arkanzasit për ta ditur se qeniet njerëzore nuk duhet t’u nënshtrohen goditjeve të drejtpërdrejta nga mbetjet e askujt.”
Telefonata më dramatike dhe më domethënëse e Marthas u bë më 22 qershor 1972. Më herët atë vit, John Mitchelli kishte dhënë dorëheqjen si Prokuror i Përgjithshëm për të drejtuar Komitetin për Rizgjedhjen e Presidentit (CRP, ose, siç quhej në gjuhën popullore, Creep). Roli i tij përfshinte shpërndarjen e një fondi sekret për të mbështetur sabotazhin dhe mbledhjen e informacioneve kundër kundërshtarëve politikë të Nixonit. Më 17 qershor, pesë burra u kapën duke hyrë me forcë në zyrat e Komitetit Kombëtar Demokratik në kompleksin Uotergejt, duke mbajtur pajisje elektronike përgjimi.
John dhe Martha Mitchell ndodheshin në Kaliforni për aktivitete mbledhjeje fondesh në kohën e arrestimeve. Duke e kuptuar se ajo do ta lidhte lehtësisht hyrjen me forcë me të dhe me fushatën (njëri nga të arrestuarit, punonjësi i Creep-it, James McCord, kishte qenë më parë roje personale e saj), Johni u përpoq ta fshehte lajmin nga Martha. Ndërsa përgatitej të kthehej në Uashington për të nisur një operacion mbulimi, ai sugjeroi që ajo të qëndronte në hotel për të pushuar dhe i tha ekipit të Creep-it, përfshirë ndihmësin e sigurisë Steve King, të siguroheshin që ajo të mos shihte asnjë gazetë.
Megjithatë, disa ditë më vonë, Martha arriti të gjente një kopje të Los Angeles Times-it dhe telefonoi një nga mikeshat e saj gazetare, Helen Thomas, të United Press International, për të diskutuar atë që kishte mësuar.
Martha arriti vetëm t’i thoshte asaj se ishte “lodhur nga i gjithë operacioni [i Nixonit],” përpara se telefonata të ndërpritej papritur. Ajo çfarë kishte ndodhur ishte, siç shpjegoi më vonë Martha për David Frostin, se Steve King “e kishte shkëputur telefonin nga muri.” Më pas, ajo u mbajt peng në dhomën e hotelit për disa ditë, “pa ushqim apo ndonjë gjë tjetër.” Në një moment, ajo u përpoq të arratisej nga dritarja dhe përplasja që pasoi bëri që t’i nevojiteshin qepjet prej copave të xhamit të thyer.
“Kur u ktheva në Nju-Jork, i kisha të dy krahët me fasha,” i tha ajo Frostit në vitin 1974. “Dhe, ky është gabimi im më i madh, sepse po të isha paraqitur para shtypit pikërisht në atë moment, ata do ta kishin kuptuar çfarë më kishte ndodhur.”
Siç ndodhi, pretendimet e Marthas (të konfirmuara përfundimisht nga McCord në vitin 1975, pas dënimit të tij për hyrjen me forcë në Uotergejt) përfunduan në faqet e brendshme të gazetave kombëtare. Telefonata e saj e parë me Helen Thomasin u botua në faqen 12 të New York Times-it; e dyta u përmend vetëm në faqen 25.
“Një sinjalizuese e ndërlikuar”
Gazeta e tjera, si New York Daily News, e trajtuan çështjen më shumë si material të çuditshëm për rubrikat e thashethemeve sesa si një pistë të rëndësishme në një skandal që mund të rrëzonte përfundimisht qeverinë. Mbulimi mediatik i mëvonshëm citonte burime anonime republikane që shprehnin shqetësim për konsumimin e alkoolit nga Martha dhe për gjendjen e saj mendore, e cila dukej se po përkeqësohej.
Në shtator, Bob Woodward e vizitoi në Nju-Jork, ku ajo dhe Johni ishin zhvendosur pas dorëheqjes së tij nga Creep-i. Ai e gjeti po aq llafazane dhe simpatike si gjithmonë, por të paqartë kur biseda kalonte te Uotergejti. Ai arriti në përfundimin se udhëtimi kishte qenë i kotë (megjithëse ajo parashikoi saktë se Nixoni do të fitonte “rrëshqitjen më të madhe elektorale në historinë e vendit” në zgjedhjet e ardhshme).
Martha Mitchell ishte një sinjalizuese e ndërlikuar në çështjen Uotergejt. Autorja e Washington Post-it, Katherine Winton Evans, e përmblodhi trashëgiminë e saj kontradiktore në vitin 1979: “Gjithmonë e kam pasur të vështirë të vendos nëse Martha Mitchell ishte një grua guximtare dhe e zgjuar që e kuptoi të vërtetën për Richard Nixonin më herët se shumë të tjerë - apo thjesht një person i padurueshëm, i pabesueshëm dhe vetëshkatërrues.”
Motivimi i saj fillestar dukej se ishte të distanconte bashkëshortin nga komploti, edhe pse ajo aludonte saktë për ekzistencën e tij. Megjithatë, pavarësisht këmbënguljes së saj ndaj David Frostit se “Besoj se z. Nixon e dinte gjatë gjithë kohës. Gati do të isha e gatshme të vija jetën bast se ai e kishte planifikuar,” nuk është e qartë çfarë njohurish të brendshme kishte ajo, nëse kishte ndonjë, për hyrjen me forcë dhe mbulimin e saj.
Në librin Të gjithë njerëzit e presidentit [All the President’s Men], Woodward dhe Bernstein citojnë informatorin e tyre më të famshëm, Fyti i Thellë [Deep Throat], të ketë thënë se Martha “nuk di asgjë, me sa duket, por kjo nuk do të thotë se nuk do të flasë.”
Pesëdhjetë vjet më vonë, Bob Woodward zbuloi se, ndërsa martesa e Marthas po shpërbëhej në fillim të vitit 1974, ajo u kishte dhënë gazetarëve qasje në dokumentet personale të John Mitchellit, duke thënë: “Shpresoj ta kapni bastardin.”
Përmbajtja e zyrës së Johnit në shtëpi siguroi të paktën një artikull kryesor në faqen e parë të hetimit afatgjatë të Washington Post-it për Uotergejtin (një letër e vitit 1971 nga miku i ngushtë i Nixonit, Elmer Bobst, që ofronte një donacion prej 100 mijë dollarësh në këmbim të trajtimit të favorshëm nga Komisioni Federal i Tregtisë).
Megjithatë, çfarëdo informacioni tjetër që ajo mund të kishte dhënë po të ishte marrë më seriozisht, vetëm burgosja e saj në qershor 1972 duhej të kishte treguar se njerëzit rreth Richard Nixonit kishin diçka për të fshehur dhe ishin të gatshëm të shkonin deri në masa ekstreme për ta bërë këtë.
Nixoni dha dorëheqjen përfundimisht në gusht të vitit 1974. Disa javë më vonë, Martha Mitchell i tha David Frostit: “Kam humbur besimin tim në natyrën njerëzore ... Kam dashur një burrë me gjithë shpirt, dhe pastaj, papritur, gjithçka rezulton të jetë gënjeshtër.”
John Mitchell u dënua për komplot, pengim të drejtësisë dhe dëshmi të rreme në janar 1975. Po atë vit, Martha u sëmur me mielomë multiple. Ajo vdiq një vit më vonë. Në funeralin e saj në Pajn Blaf, mes luleve të dërguara nga miqtë dhe mbështetësit ishte një kurorë me krizantema të bardha që formonin një mesazh me shkronja gjashtë inç të larta. Aty shkruhej: Martha kishte të drejtë. /Telegrafi/

