Himara nën flakë/ Zjarri i afrohet qytetit, kryebashkiaku Tavo thirrje banorëve: Largohuni nga shtëpitë
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të premteje në 4 shtator qytetin e Himarës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në kodrat pranë lagjes 1 Maji. Si pasojë, një banesë u dogj totalisht. Janë djegur po ashtu edhe sipërfaqet me pemëtari, që ndodhen në këtë zonë.
Në terren ndodhen banorë të Himarës, të cilët po ndihmojnë forcat zjarrfikëse në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët, raporton gazetarja e Klan News Greta Haskaj.
Për shkak të situatës së vështirë dhe erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit, zjarrfikësit kanë kërkuar edhe ndihmën e forcave të tjera nga bashkitë fqinje.
Puna e forcave në terren është përqendruar në izolimin e përparimit të flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe pronave që ndodhen në zonë.
Flakët u afrohen shtëpive dhe hoteleve
Situata nga flakët në Himarë është tepër problematike. Disa banesa dhe hotele janë rrethuar nga zjarri. Kërkohet ndërhyrje nga ajri. “Situata është tepër e rëndë. Disa banesa dhe hotele janë rrethuar nga zjarret. Kërkohet ndërhyrje nga ajri. Flakët po vijnë në qytet”, ankohet një banor i Himarës.
Situata nga zjarret në Himarë është tepër kritike. Kryebashkiaku i qytetit Vangjel Tavo ka bërë thirrje urgjente, që qytetarët të largohen nga shtëpitë, pasi flakët po i afrohen qytetit.
Ai ka dhënë dhe numrat e kontaktit, me qëllim që qytetarët të kontaktojnë me autoritetet./Tv Klan


