Hill: Gelbard e quajti UÇK-në terroriste, u duk sikur e dha dritën e gjelbër në ngjarjen ndaj familjes Jashari
Christopher Hill kur u pyet gjatë seancë në Hagë se kur e kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontaktin e parë me UÇK-në, ai tha se është e vështirë që t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, për shkak se ishte e pamundur që të gjeje një udhëheqës aty.
Përveç kësaj, Hill tha se ishte e pamundur që të gjendej ndonjë person që të fliste me autoritet në UÇK. Kurse, për diplomatin Robert Gelbard, ai tha se e quajti UÇK-në terroriste dhe se e sheh si “sinjal” për sulmin ndaj familjes Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kjo është përgjigje e thjeshtë për t’u përgjigjur. Do të duhej të ishte kështu, por nuk është përgjigje e thjeshtë. Problemi i madh natyrisht është se me UÇK-në ishte paaftësia dhe pamundësia për të gjetur një udhëheqje aty, për të gjetur njerëz që flisnin me autoritet aty”, tha Hill.
Veç kësaj, Christopher Hill tha se Robert Gelbard ishte takuar me disa njerëz në Zvicër që pretendonin se ishin udhëheqës të UÇK-së, gjë të cilën thotë se nuk e beson.
“Robert Gelbard i cili kishte mbajtur pozitën që mbajta unë deri që atij i është kërkuar që të përqendrohej tërësisht në Bosnjë – pra bëhej fjalë për maj të 1998-ës, pra ai kishte pasur disa takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe kishte dëgjuar që ata ishin përgjegjës të UÇK-së. Nuk mendoj që kjo ishte e vërtetë dhe nuk ka pasur ndonjë provë që ata ishin në fakt të tillë. Pra, udhëheqës të UÇK-s”, tha ai.
Dëshmitari Hill theksoi se nuk i kujtohet se kush ishin ata persona. Megjithatë, sipas tij, janë bërë përpjekje për të zbuluar se kush ishte në udhëheqje të UÇK-së.
Ndërsa, për njerëzit që ishte takuar Gelbard, sipas dëshmitarit, ishin njerëz që kishin simpati të madhe ndaj UÇK-së si lëvizje e përshpejtuar drejt pavarësisë. Përveç kësaj, ai tha se Gelbard e kishte quajtur UÇK-në terroriste.
“Ai e konsideronte UÇK-në si terroriste. Kjo ishte në shtyp. Kjo ishte koment që ai bëri për shtypin dhe kjo ndodhi menjëherë pak kohë më pas një incidenti ku forcat e sigurisë serbe rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe për pasojë të gjithë u vranë aty. Ky ishte shpërthim i madh i veprimeve armiqësore pra. Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte terroriste dhe kjo njëfarë mënyrë kishte shkaktuar këtë ngjarje të veçantë të shkaktuar nga forcat e sigurisë serbe”, tha.
Hill tha se ndjehej sikur Gelbard kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Megjithatë, ai tha se për këtë nuk ka prova.
Po ashtu, ai tha se Gelbard mbajti qëndrim të ashpër ndaj palës serbe derisa solli deklaratën e Millosheviqit ku ai tha se nuk do të takohej më me diplomatin amerikan.
Dëshmitari tha se në verë dhe vjeshtë të 1998-ës janë përpjekur që të gjejnë një udhëheqës të UÇK-së për të folur për çështjet e situatës. Por, sipas tij s’kishin pasur sukses. Përveç kësaj, ai tha se ishin takuar me një person në Tiranë, i cili ishte deklaruar si i tillë por që edhe ai sipas dëshmitarit nuk ka qenë udhëheqësi sipas pikëpamjes së tyre. Ky person ishte sipas dëshmitarit Xhavit Haliti me nofkën “Zeka”.Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill tha se ka punuar edhe me palën serbe e po ashtu edhe atë shqiptare të Kosovës gjatë viteve të luftës. Për palën e fundit, tha se ishte e vështirë që të gjendeshin njerëz që mund të flisnin me autoritet.
“Kjo në atëkohë ka qenë një sfidë e madhe. Në disa momente ishte e vështirë që të gjendeshin njerëz të cilët mund të flisnin me autoritet pasi çdokush kishte një mendim. Nuk ishte problem që të gjendej dikush që kishte një mendim – problemi ishte që gjendej dikush që kishte autoritet”, tha Hill.
Një prej këtyre personave, sipas Hillit, ishte kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova të cilin e përshkroi me pozitë udhëheqëse në Kosovë, e cila ishte joformale.
Nga pala serbe, ai tha ka punuar kryesisht me Sllobodan Millosheviqin dhe ekipin e tij, duke përfshirë ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe ish-kryeministrin, Millutineviq.
Dëshmitari shtoi se kjo pjesë nga pala serbe ishte shumë e kufizuar, duke theksuar se puna kryesisht bëhej me Millosheviqin.
Duke bërë dallimin në mes këtyre palëve, Hill tha se mund të flisje vetëm me Millosheviqin për një çështje, por nuk ishte e njëjta nëse flisje vetëm me Rugoven pasi mund të mosrealizohej sepse kishte mendime të ndryshme për të njëjtën çështje.
Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se në çështjen e Kosovës, është angazhuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj të 1998-ës, konkretisht nga Madeleine Albright si sekretare e Shtetit Amerikan të cilës edhe i raportonte.
Hill- tani diplomat në pension, tha se rolin e tij e ka kuptuar si diplomat që duhet të ofrojë një mbështetje ose zgjidhje politike dhe rrjedhimisht të ndihmojnë që të zmbrapsen forcat në Kosovë nga dhuna në rritje“.
“Që në fillim fare jam përpjekur që me kolegët e Departamentit të Shtetit të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë të tillë që të kthehej autonomia e Kosovës, në mënyrë që Kosova të kishte vetëqeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, tha Hill.
Dëshmitari këtë e tha duke u përgjigjur në pyetjet e palës thirrëse e që ishte mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Dëshmitari duke treguar për funksionin që ka pasur në Maqedoni dhe në Shqipëri, tha se çështja e Kosovës ishte një temë e madhe në Ballkan, por që nuk ishte e vetmja duke iu referuar edhe çështjes së luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.
“Kosova ishte një temë shumë e madhe për Ballkanin, por në atëkohë s’ishte e vetmja çështje që diskutohej sepse kishte shumë luftëra që ndërhynin në këtë çështje si lufta në Bosnjë dhe Kroaci”, tha ai.Deri në maj të viti 1998, Hill tha se nuk e ka vizituar Kosovën deri kur iu kërkua që të merrte përgjegjësi shtesë nga ana e SHBA-ve.
Dëshmitari tha se në bisedat e Dejtonit kanë qenë të përqendruara në përfundimin e luftës në Bosnje, por që tema e Kosovës përmendej nga shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova që kërkonin zgjidhje për Kosovën. Tha se ka biseduar për Kosovën edhe me Sllobodan Millosheviqin.
“Më kujtohet që kam pasur biseda të drejtpërdrejta me presidentin Millosheviq në kontekstin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit se e dinim që Kosova do të ishte çështja tjetër e radhës”, tha Hill.


