Please enter at least 3 characters.

Heshtja zyrtare - efektet anësore të krizës

Pse e gjithë kjo heshtje zyrtare para një situateje aspak të qetë? Mendimi i parë që na vije në kokë për të sqaruar këtë dilemë është ndjenja e fajit të pashpallur që e përshkon pushtetin aktual për pasojat e këqija të kësaj situate, në njërën anë dhe mosgjetja e “terapisë” adekuate për ta shëruar këtë faj, në anën tjetër

Efektet anësore të krizës, nëpër të cilën po kalojmë, janë indikatorët më serioz që duhet të zgjojnë nga gjumi qeverinë për të dalë me një strategji konkrete për dalje nga kjo situatë. Relativizmi deri në skajshmëri i këtyre efekteve nga ana e strukturave kompetente, na duket se shpie në një krizë edhe më të thellë, ku humbës do të dalin të gjithë. Është e kuptueshme që çdo pushtet mundohet maksimalisht të tregojë sens anti-panik në raste, kur paraqitet ndonjë krizë dhe kjo është e vetëkuptueshme. Mirëpo, kur një qeveri, në kontinuitet e injoron situatën, kësaj s’kemi si të themi ndryshe, pos neglizhencë e qëllimshme.

Të fillojmë me fakte. Edhe zogjtë e malit e dinë se tash më në Maqedoni rrëmbehen fëmijë. Por, habia më e madhe ndodhi, kur në interesimin tonë si gazetë për të mësuar diçka më shumë nga burimet zyrtare, morëm një sqarim aspak profesional nga përgjegjësit e MPB: “Ju gazetarët, po i zmadhoni gjërat”.

Gjithmonë, kur pushteti zihet ngushtë dhe nuk ka një zgjidhje adekuate dhe efikase, kundrejt fenomeneve devijante në shoqëri, janë gazetarët ata që “i zmadhojnë gjërat”.
Kështu ndodhi edhe në v.2001. Edhe atëherë gazetarët i patën pasur “fajet” për fillimin e konfliktit të armatosur.

Aktualisht, mbi Maqedoni shihen disa re të zeza që paralajmërojnë “mot të turbullt”, por askush nga institucionet kompetente nuk e ka kurajon politike, profesionale e morale ta shoh drejt në sy situatën dhe të nxjerr përfundime që shkojnë në favor të qartësimit dhe shtendosjes. Diplomatët janë të brengosur, opozita është e nervozuar, qytetarët të shqetësuar dhe frikësuar, gazetarët të frustruar dhe vetëm pushteti ndjehet komod brenda stus-quos së vetëbegenisjes. Në pikë të drekës, në metropolin e Maqedonisë, Shkup, shpërthen një objekt i paidentifikuar dhe ende qeveria s’e prishë terezinë duke e aktruar normalitetin dhe rutinën e përditshme të aktiviteteve gjoja protokolare. Me gjasë Gruevski dhe kompania e tij po presin të shpërthejë diçka mbi kokat e tyre, për t’u bindur se këtu vërtetë nuk shkon diçka si duhet. Kuptohet që këtë “provë”, askush nga ne nuk do ta dëshironte.

Pse e gjithë kjo heshtje zyrtare para një situateje aspak të qetë? Mendimi i parë që na vije në kokë për të sqaruar këtë dilemë është ndjenja e fajit të pashpallur, që e përshkon pushtetin aktual për pasojat e këqija të kësaj situate, në njërën anë dhe mosgjetja e “terapisë” adekuate për ta shëruar këtë faj, në anën tjetër. Edhe kryeministri edhe njerëzit përreth tij e dine, se Maqedonia dhe qytetarët e saj nuk i morën përgjigjet e duhura, që u ishin drejtuar atyre në formë të ankesave sociale, ndëretnike, ndërefetare në fillim të mandatit qeverisës. Edhe sot e gjithë ditën në Maqedoni kemi njerëz që durojnë për bukën e gojës, pastaj kemi rajone të tëra, siç është Likova, fjala vie, të cilat nuk janë përfshi në kurrfarë plani zhvillimor e investues të kësaj qeverie dhe për pasojë kemi largimin e njerëzve nga kjo zonë e martirizuar në luftën e v. 2001 dhe e harruar nga qeveria dhe BDI në v. 2010.

Aktualisht në Maqedoni, fatkeqësisht, po zbatohet me perfeksion strategjia e ndarjes në linja etnike e fetare dhe strateg i kësaj ndarje nuk është ndonjë zyrë private arkitektonike, por vetë qeveria e Maqedonisë. Kjo e fundit, duke sforcuar projekte që i ndanë njerëzit, dhe që i detyron ata të futen nëpër rrugët jolegjitime të mbrojtjes dhe kërkimit të të drejtave, në fakt po shndërrohet në sponzorizuese kryesore të krizës, duke i amnistuar, përfundimisht, qytetarët e të gjitha etnive e feve, nga përgjegjësia e çfarëdo pasoje të situatës që mund të ndodhë në Maqedoni.