Please enter at least 3 characters.

Haxholli: Ish presidentja Osmani krijoi kaos me 20 ambasadorë me mandate të tejkaluara, një devijim serioz në diplomaci

Kosova vazhdon të ketë ambasadorë me mandat të kaluar në shumë shtete të botës.

Fatmir Haxholli, kryetar i Sindikatës në MPJD, ka theksuar se çështja e mandateve në shërbimin e jashtëm duhet trajtuar në mënyrë të strukturuar dhe me përgjegjësi institucionale, duke paralajmëruar për pasoja konkrete në funksionimin e diplomacisë së Kosovës.

“Së pari, tejzgjatja e mandateve të shefave të misioneve diplomatike dhe konsullore përbën një devijim serioz nga funksionimi i rregullt, efikas dhe me integritet i shërbimit të jashtëm”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

Sipas Haxhollit, një numër i madh i ambasadorëve, si politikë ashtu edhe të karrierës, e kanë tejkaluar mandatin katërvjeçar që nga viti 2021, duke përfshirë mbi 20 misione diplomatike dhe rreth pesë konsullore.

“Si rezultat i kësaj situate është krijuar një gjendje e sforcuar institucionale, me implikime ligjore, financiare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai, shkruan Telegrafi.

Ai shton se kjo gjendje ka ndikuar edhe në funksionimin e përgjithshëm të diplomacisë.

“Në kundërshtim me natyrën dinamike që kërkon diplomacia, është krijuar stagnim dhe dobësim i funksionimit të saj”, ka theksuar Haxholli.

Duke folur për arsyet e kësaj situate, ai ka kritikuar qasjen e ndjekur më herët nga Vjosa Osmani, ish presidente e Kosovës.

“Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me qasjen e gabuar të ndjekur nga ish-presidentja, e cila nuk e adresoi tejkalimin e mandateve përtej afateve ligjore, me arsyetimin e shmangies së vakancave në misionet diplomatike”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, një qasje e tillë nuk qëndron as juridikisht dhe as në praktikën ndërkombëtare.

“Korniza ligjore ndërkombëtare dhe vendore ka paraparë mekanizma të qartë tranzitorë përmes të ngarkuarve me punë, që garantojnë vazhdimësi pa cenuar ligjshmërinë”, është shprehur Haxholli.

Në anën tjetër, ai ka vlerësuar si të domosdoshëm veprimet e fundit të Qeverisë për hapjen e procesit të rotacionit.

“Veprimi aktual i Qeverisë për hapjen e procesit të shprehjes së interesit për rotacion përfaqëson një hap të domosdoshëm dhe proaktiv në drejtimin e duhur”, ka deklaruar ai.

Sipas Haxhollit, ky proces synon rifreskimin e shërbimit diplomatik dhe forcimin e ligjshmërisë dhe meritokracisë.

“Përfshirja e diplomatëve të karrierës dhe përbërja e komisionit të rotacionit, e dominuar nga profesionistë të shërbimit diplomatik, janë garanci për një proces të drejtë, kredibil dhe të bazuar në nevojat reale të diplomacisë”, ka shtuar ai.

Ai thekson se bëhet fjalë për më shumë se një procedurë teknike.

“Ky nuk është thjesht një hap procedural, por një përpjekje serioze për të vendosur standard dhe besim institucional në shërbimin e jashtëm”, ka thënë Haxholli.

Në fund, ai ka nënvizuar se aktualisht nuk ekzistojnë pengesa kushtetuese për avancimin e emërimeve të reja.

“Institucionet janë funksionale dhe kompetencat për dekretim janë të plota, duke i dhënë Qeverisë hapësirë të qartë për veprim”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, procesi i rotacionit duhet të trajtohet si prioritet strategjik për shtetin.

“Ky proces duhet të shihet jo vetëm si zëvendësim, por si rikthim i ligjshmërisë, funksionalitetit dhe kredibilitetit të përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës”, ka përfunduar Haxholli./Telegrafi/