Haxhiu: Me 10 anëtarë në KQZ nuk rrezikohet as certifikimi i partive, as certifikimi i rezultatit zgjedhor
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se mungesa e një anëtari në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nuk paraqet rrezik për proceset zgjedhore në vend, përfshirë certifikimin e partive politike dhe rezultateve zgjedhore.
Pas një takimi me përfaqësues të partive politike dhe në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Haxhiu tha se çështja e përbërjes së KQZ-së është në shqyrtim dhe se institucionet po veprojnë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese.
Ajo sqaroi se aktualisht KQZ-ja funksionon me 10 anëtarë nga 11 sa parasheh përbërja e plotë, duke theksuar se një anëtar ende nuk është emëruar.
“Jam në trajtim të kësaj çështjeje dhe do të veproj në përputhje me përgjegjësitë. Por të jeni të sigurt që me 10 anëtarë në KQZ asgjë nuk rrezikohet, as certifikimi i partive, as certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe asgjë tjetër,” u shpreh Haxhiu.
Ajo shtoi se ka pranuar kërkesa nga partitë politike, përfshirë PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje, për emërimin e anëtarit të fundit në këtë trupë.
Haxhiu gjithashtu theksoi rëndësinë e parimeve të përfaqësimit dhe proporcionalitetit politik në institucionet zgjedhore, duke shtuar se afatet për këtë proces tashmë kanë kaluar dhe se çështja po trajtohet në kuadër të përgjegjësive institucionale.


