Hap i madh në mjekësi, veshka e derrit funksionoi 271 ditë në trupin e një pacienti
Një veshkë e marrë nga një derr i modifikuar gjenetikisht ka funksionuar për 271 ditë brenda trupit të një pacienti, duke shënuar kohëzgjatjen më të madhe të regjistruar deri më tani për një transplant të tillë.
Tim Andrews, 66 vjeç, vuante nga sëmundja e avancuar e veshkave si pasojë e diabetit të tipit 2.
Ai iu nënshtrua transplantit më 25 janar 2025 në Massachusetts General Hospital, në SHBA.
Mjekët thonë se transplanti i dha Andrews shpresë dhe e kurseu nga muajt e trajtimit me dializë, ndërsa priste një veshkë nga një dhurues njerëzor.
Veshka e derrit funksionoi menjëherë pas ndërhyrjes dhe vazhdoi të punonte për 271 ditë, përpara se të fillonte të dështonte.
Ajo u hoq në tetor 2025 dhe Andrews iu nënshtrua dializës për 82 ditë, derisa në janar 2026 mori një veshkë nga një dhurues njerëzor, e cila aktualisht po funksionon mirë.
“Shpresa është gjëja më e madhe. Mundësia për të qenë i lirë nga makina e dializës dhe për të jetuar jetën tënde”, tha Andrews.
Për transplantin u përdor një derr i vogël i racës Yucatan, organet e të cilit ishin modifikuar për t'u bërë më të përshtatshme për trupin e njeriut.
Shkencëtarët kanë kryer 69 modifikime gjenetike, duke hequr disa karakteristika të qelizave të derrit që sulmohen nga sistemi imunitar i njeriut, si dhe duke shtuar elemente të ADN-së njerëzore për ta ndihmuar organin të shmangë refuzimin.
Mjekët thonë se, pa këto ndryshime, sistemi imunitar i njeriut do ta sulmonte dhe shkatërronte shumë shpejt organin e huaj.
Rasti i Andrews është një tjetër hap në fushën e ksenotransplantimit, pra përdorimit të organeve të kafshëve për pacientët njerëzorë.
Sipas mjekëve, mungesa e organeve për transplant është një krizë serioze.
Vetëm në SHBA rreth 100 mijë njerëz presin një transplant të veshkës, ndërsa kryhen rreth 25 mijë transplante në vit.
Pavarësisht rekordit, veshka e derrit te Andrews përfundimisht dështoi.
Mjekët thonë se rasti tregon njëkohësisht potencialin e madh të kësaj teknologjie dhe sfidat që ende duhet të zgjidhen.
“Ky rast tregon si premtimin, ashtu edhe sfidat që mbeten në transplantimin e veshkave nga kafshët te njerëzit”, shkruan ekipi mjekësor në revistën The Lancet.


