Hamza: Rritja ekonomike deri në 4%
Sistemi bankar ka përfunduar mirë gjatë vitit që e lamë pas, këtë e dëshmon edhe niveli i kredive të këqija, prej 4.8 për qind.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza në një intervistë për telegrafin ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2016 është 3.6 për qind, ndërsa rritja ekonomike sipas tij, për vitin 2017 do të shkojë deri në 4 për qind. “Norma reale e rritjes ekonomike në vitin 2016 pritet të jetë rreth 3.6 për qind, ndërsa për vitin 2017 norma reale e rritjes parashihet të jetë rreth intervalit 3.8 deri 4 për qind”, ka thënë Guvernatori Hamza.
Telegrafi: Niveli i kredive prej 2.2 miliardë eurove tregon stabilitetin e sistemit bankar apo mungesën e parave tek individët dhe bizneset për të bërë financime dhe investime të nevojshme?Hamza: Rritja e qëndrueshme e kreditimit bankar në Kosovë, në njërën anë, paraqet edhe një tjetër tregues të rëndësishëm të nivelit të lartë të stabilitetit që ka ky sektor dhe, në anën tjetër, flet për zhvillimin e vazhdueshëm të ekonomisë së vendit ku qytetarët dhe bizneset kërkojnë kredi bankare për të financuar projektet e tyre. Kredia bankare nuk është produkt që i jepet atyre që kanë “mungesë” të parave, sepse në këtë mënyrë do të rrezikohej qëndrueshmëria e vetë bankës, por i jepet atyre që kanë qëllime të arsyeshme për të marrë kredi dhe që kanë potencial të mjaftueshëm financiar për të rikthyer kredinë së bashku me pagesën e interesit mbi atë kredi. Prandaj, rritja e kreditimit tregon se në Kosovë po shtohet masa e qytetarëve dhe bizneseve që kanë projekte të arsyeshme dhe që kanë besimin e bankave mbi aftësinë e tyre për të ripaguar kredinë.
Telegrafi: Normat e interesit të kredive mbetën ende të larta edhe pse tashmë janë njëshifrore, a mund të presim ende ulje gjatë vitit 2017?Hamza: Normat e interesit në kredi kanë shënuar rënie të theksuar në vitet e fundit, duke paraqitur kështu një faktor shumë të rëndësishëm lehtësues për qasje në financim bankar si për individët ashtu edhe për bizneset. Krahasuar me pesë vite më parë, normat e interesit në kredi janë përgjysmuar, duke zbritur kështu në nivelin e mesatares së vendeve të rajonit. Në nëntor të vitit 2016, norma mesatare e interesit për kredi bankare në Kosovë ishte 7.3 për qind. Zhvillimet në normat e interesit varen nga faktorë të shumtë, të cilët mund të jenë të lidhur me zhvillimet specifike brenda bankave si dhe me ambientin e përgjithshëm ku sistemi bankar e zhvillon aktivitetin e tij. Në këtë kontekst, rritja e mëtejme e efikasitetit operacional të bankave së bashku me përmirësimin e mëtejmë të ambientit të përgjithshëm afarist në Kosovë sigurisht se mund të çojnë drejtë rënies së normave të interesit edhe në të ardhmen.
Telegrafi: A ka aplikacione për hyrjen bankave të reja në tregun bankarë kosovarë?Hamza: Aktualisht nuk kemi ndonjë aplikacion për licencë nga ndonjë bankë e re, por BQK-ja mbetet e hapur për të trajtuar çdo aplikacion të ri dhe për t’i dhënë licencë bankave që i plotësojnë kërkesat e parapara për procesin e licencimit. BQK-ja mbetet e përkushtuar të mbështesë zhvillimin e sistemit bankar dhe rritjen e konkurrencës, ndërmjet bankave dhe parakusht themelor për arritjen e këtyre qëllimeve është zbatimi i përpiktë i kritereve të licencimit të shëndoshë të bankave të reja. Kjo na mundëson që në sistemin tonë bankar të lejojmë hyrjen e vetëm atyre bankave që mund t’i kontribuojnë zhvillimit të mëtejmë dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar të Kosovës.
Telegrafi: Pse nuk po mund tu bëjnë konkurrencë bankat që janë futur së fundi në treg, bankave më të vjetra?Hamza: Konkurrenca në tregun bankar të Kosovës ka shënuar rritje të vazhdueshme. Efektet e rritjes së konkurrencës vërehen në shumë aspekte të operimit të bankave, ku mund të veçojmë përshpejtimin e rritjes së kreditimit, zvogëlimin e normave të interesit në kredi dhe lehtësimin e kushteve tjera kreditore, zhvillimin e produkteve të reja bankare, si dhe zgjerimin e rrjetit të infrastrukturës bankare.
Telegrafi: Borxhi i Kosovës ka shkuar në 840 milionë euro, a e rrezikon kjo stabilitetin financiar të vendit?Hamza: Kosova ka një nivel mjaft të ulët të borxhit publik, i cili në raport me BPV-në qëndron në 14 për qind. Si i tillë, borxhi publik aktualisht nuk paraqet ndonjë rrezik për stabilitetin financiar dhe reflekton qëndrueshmëri të financave publike në vend. Sidoqoftë, duhet pasur kujdes me ritmin me të cilin do të rritet borxhi publik në të ardhmen dhe të sigurohemi se borxhi publik të përdoret vetëm për financimin e investimeve kapitale që kanë arsyeshmëri të lartë, benefitet e të cilave për zhvillimin ekonomik të vendit tejkalojnë kostot që duhet paguar për shfrytëzimin e atij borxhi. /Telegrafi/


