Please enter at least 3 characters.

Hamza pranon ftesën e Kurtit për takim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka konfirmuar se ka pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një takim që pritet të mbahet të premten, në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja.

Duke folur para mediave pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza bëri të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës, duke propozuar që takimi të zhvillohet në orën 09:00.

“Unë ia ktheva shkresën se Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për takim nesër në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

Ai theksoi se PDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në takime politike, por nënvizoi se fokusi duhet të jetë tek prioritetet shtetërore dhe jo tek ndarja e posteve.

“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat, e kam thënë dhe e ripërsëris se është tepër e rëndësishme të flasim për prioritetet, vizionin për të ardhmen, programin dhe adresimin e sfidave që i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, një kryetar Kuvendi, presidentin apo çfarëdo pozite tjetër”, deklaroi Hamza.

Ndryshe, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka dërguar ftesë për takim krerëve të partive që deri më tash ishin në opozitë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka tha se ftesat u janë dërguar sot në mëngjes kreut të PDK-së, Bedri Hamza, kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreut të AAK-së, Ardian Gjini, për të diskutuar lidhur me krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme.

“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve, të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, ka deklaruar ai.

Ftesat për takim Kurti i dërgoi një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.