Hajvalia prezanton Prekazin dhe Dragushën
Me një vonesë përafërsisht njëorëshe, shkaku i vonesës së Mehedin Pergjegjajt (Meda), nisi konferenca e parë e Hajvalisë, drejt misionit titull kampioni. Gazetarët nuk përtuan të presin numrin një të Hajvalisë, që me një kërkim falje, tregonte se mezi priste të prezantonte përforcimet e para, e që i pranishëm ishte edhe trajneri Ismet Munishi. Arbër Prekazi e Alban Dragusha patën nderin të prezantohen në Restoranin Briliant, që ndodhet në hyrje të Hajvalisë.
“Kam nderin t’i prezantoj dy futbollistë, Arbër Prekazin dhe Alban Dragushën, të cilëve u uroj mirëseardhje në klubin tonë. Besoj se do ta japin maksimumin dhe do të arrijnë suksese me klubin, pasi ne gjithmonë i kemi vlerësuar ata që i kemi kontaktuar. Besoj që të dy futbollistët dhe ata që do t’i bashkohen Hajvalisë, do të luajnë me zemër e me shpirt për klubin”, porositi ai, raporton Arena.
Klubi i ri, dhe ambienti i improvizuar por në stil modern, ngjallte emocione edhe tek lojtarët. “Kam kënaqësinë që Hajvalia është interesuar për mua dhe kemi arritur bashkëpunimin për gjashtë muaj. Si çdo klub tjetër edhe te Hajvalia do ta japi më të mirën dhe besoj se do ta arrijmë objektivin”, deklaroi Dragusha, për t’ia lënë rendin Prekazit.
“Kam arritur marrëveshje me Hajvalinë për shkak të projektit që ka qenë serioz, duke ndjekur majat e futbollit Kosovës. Unë dhe Albani i jemi bashkangjitur këtij klubi pas sukseseve me Llamkos Kosovën dhe synojmë që ato suksese do t’i përsëritim. Me organikën që e kemi gjetur te Hajvalia besoj se nuk do ta kemi problem t’i realizojmë këto ambicie”, tha Prekazi. /Telegrafi/


