Haaland në qiellin e shtatë me Norvegjinë: nga ëndrra e pamundur te çerekfinalja e Botërorit
Erling Haaland ka pranuar se arritja e Norvegjisë deri në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026 ka qenë një befasi edhe për të, teksa skuadra nordike është vetëm një fitore larg një vendi në katër kombëtaret më të mira të turneut.
Sulmuesi i Manchester Cityt ka zbuluar se paraqitja historike e Norvegjisë në këtë Botëror ka tejkaluar pritshmëritë e tij, madje edhe para fitores së madhe ndaj Brazilit.
Para sfidës çerekfinale kundër Anglisë, Haaland tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë një skenar të tillë me kombëtaren e tij.
“Absolutisht nuk e prisja fare këtë. E kam thënë shumë herë më parë, madje edhe para ndeshjes me Brazilin nuk e prisja. Nuk e prisja që të ishim në çerekfinale me Norvegjinë në Kupën e Botës. Është mjaft e habitshme edhe për mua”, deklaroi Haaland.
Ylli norvegjez e ka cilësuar pjesëmarrjen në Kupën e Botës si një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të vendit të tij në skenën më të madhe të futbollit.
“Të jesh në gjendje të luash në Kupën e Botës është një nder dhe një qëllim i madh për mua. Të jem këtu dhe të luaj në skenën më të madhe me miqtë e mi norvegjezë kundër ekipeve më të mira në botë është vërtet diçka e veçantë”, shtoi ai.
Fitorja ndaj Brazilit në fazën e eliminimit direkt ishte një moment historik për Norvegjinë, ndërsa Haaland pranon se edhe vetë lojtarët mezi e besonin atë që po arrinin.
“Të luanim kundër Brazilit ishte paksa e çmendur për ne norvegjezët. Të fitojmë ndaj Brazilit dhe më pas të luajmë kundër Anglisë në çerekfinale të Kupës së Botës në SHBA është diçka shumë e veçantë”, tha sulmuesi.
Norvegjia tashmë përgatitet për sfidën më të madhe të saj në këtë turne, përballjen me Anglinë, ku Haaland dhe shokët e tij do të kërkojnë të vazhdojnë një nga historitë më të bukura të këtij Botërori. /Telegrafi/


