Grealish drejt transferimit në Serie A, gjiganti italian mendon për të
I lënë në një rol dytësor në radhët e Manchester City, Jack Grealish po shqyrton seriozisht mundësinë për të rinisur karrierën e tij duke filluar nga sezoni 2025-2026. Sulmuesi anglez është vlerësuar rreth 45 milionë euro dhe pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të verës.
Manchester City pritet të jetë sërish aktiv në merkato, ashtu si gjatë afatit kalimtar të dimrit. Klubi po ndërton skuadrën për të ardhmen, ndërsa disa lojtarë mund të largohen nëse nuk gjejnë hapësirat e duhura.
Një ndër ta është edhe Jack Grealish, i cili, në moshën 29-vjeçare, nuk ka arritur të shfaqë versionin më të mirë të vetes nën drejtimin e Pep Guardiolës. Për këtë arsye, largimi i tij nuk përjashtohet gjatë verës.
Sipas mediave britanike, interesimi për Grealish është i madh. AC Milan ka hyrë në garë për nënshkrimin e tij, duke parë në të një mundësi për të forcuar repartin ofensivë. Rossonerët po e vlerësojnë seriozisht një ofertë konkrete.
Përveç Milanit, interes për lojtarin kanë shfaqur edhe Aston Villa dhe Napoli, ndërkohë që është përmendur edhe një pistë surprizë nga Barcelona. Kjo e bën të qartë se Grealish mbetet lojtar me profil të lartë në treg.
Megjithatë, transferimi te AC Milan nuk do të jetë i lehtë. Klubi italian e di se do t’i duhet të shpenzojë rreth 45 milionë euro për të bindur Manchester City, që deri tani nuk ka dhënë sinjale për ulje çmimi.
Tashmë mbetet të shihet nëse drejtuesit e Milanit do të vendosin të bëjnë një investim kaq të madh për të afruar Grealish, i cili kërkon të rikthehet si titullar i padiskutueshëm në një ambient të ri. /Telegrafi/


