Grabitje në shtëpinë e Kim Kardashian, hajduti vjedh një makinë - më pas arrestohet nga policia
Një hajdut është arrestuar pasi dyshohet se hyri në shtëpinë e Kim Kardashian në Hidden Hills dhe vodhi një makinë, të cilën më pas e përdori për të bërë xhiro nëpër lagje.
Policia mbërriti në rezidencën e Kardashian, me vlerë mbi 51 milionë euro, pas një telefonate për një person që kishte hyrë në pronë dhe po merrte sende.
Policët gjetën dhe arrestuan një të dyshuar, i cili përballet me akuza për vjedhje të banesës dhe vjedhje automjeti.
Sipas një burimi pranë Kardashian, makina i përkiste një prej punonjësve të saj.
Policia ka bërë të ditur se hetimi është ende në fazat e para.
Në momentin e incidentit, Kardashian dhe fëmijët e saj nuk ndodheshin në rezidencë, pasi prej disa muajsh jetojnë në një shtëpi me qira aty pranë, ndërsa vila po rinovohet.
Kardashian dhe ish-bashkëshorti i saj, Kanye West, e blenë pronën në vitin 2014 për rreth 17 milionë euro dhe kryen rinovime të mëdha para se të zhvendoseshin aty në vitin 2017. /Telegrafi/


