Grabiten në një këmbimore në Pejë, arrestohen dy të dyshuarit
Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka bërë të dotir se ka arrestuar dy të dyshuar për grabitjen në një këmbimore në Pejë.
Rasti kishte ndodhur më 28.01.2026, rreth orës 15:45 në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.
Policia njoftoi se menjëherë i është përgjigjur rastit dhe me të arritur në vendngjarje, ka kuptuar nga viktima e cila ka qenë në orarin e punës se dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e thikës kanë arritur t’i marrin nga viktima 1 mijë euro.
Në njoftim tutje thuhet se pas një pune intensive të hetuesve të sektorit rajonal për hetime, në bashkëpunim me njësitet e Stacionit Policor në Istog, më 30.01.2026, rreth orës 23:00, nga zyrtarët policor të Stacionit Policor në Istog janë lokalizuar dhe arrestuar në bjeshkët e Istogut, dy persona të dyshuar për këtë rast.
Pas intervistimit nga hetuesit e sektorit rajonal për hetime, dy të dyshuarit, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Të njëjtit dyshohen edhe për një grabitje tjetër e cila ka ndodhur më 21.12.2025 në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë. /Telegrafi/


