“Gjyshit tim” – Arsa Alija i kushton këngë gjyshit të saj dëshmor
Në një rrëfim të ndjerë përmes muzikës, Arsa Alija, mbesa e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamet Alija, ka lansuar këngën “Gjyshit tim” – një krijim që prek thellë shpirtin dhe kujtesën kolektive.
Muhamet Alija ra dëshmor në vitin 1998, shumë vite përpara se Arsa të vinte në jetë. Megjithatë, mungesa fizike nuk ka qenë pengesë për të ndier një lidhje të fuqishme shpirtërore me gjyshin e saj, të cilin e ka njohur vetëm përmes rrëfimeve të familjarëve dhe fotografive që ruajnë kujtimin e tij.
Kënga “Gjyshit tim” është një himn personal dhe një nderim i thellë për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Në vargjet e saj, Arsa i “flet” gjyshit për rritjen e saj, për mallin që mbart dhe për dashurinë që ka ndërtuar nga kujtimet e të tjerëve. Përmes zërit të saj engjëllor dhe emocioneve të pastra, ajo sjell në vëmendje një realitet të prekshëm: dashuria për ata që u flijuan jeton përtej kohës dhe brezave.
Klipi i kësaj kënge është realizuar në Shqiponjë – vendi ku prehen dëshmorët e Komunës së Gjakovës – duke i dhënë më shumë peshë emocionale dhe simbolike projektit. Videoja, e prodhuar nga produksioni “Inframe”, përçon ndjenjën e krenarisë dhe respektit që një brez i ri, si Arsa, mban për figurat që nuk pati rastin t’i njohë, por që jetojnë në çdo frymë lirie. /Telegrafi/


