Gjykatësit kushtetues “qerasin” veten me rritje rroge, pagat nga 199 mijë deri 242 mijë denarë bruto
Edhe përskaj kritikave të vazhdueshme për punën e tyre në këtë mandat, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese vendosin të gëzojnë veten me rroga më të larta. Pagat e Kryetarit dhe gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese do të rriten nga 1 tetori, pasi Gjykata shfuqizoi pjesë të Ligjit për Pagat dhe Shpërblimet e Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar.
Vendimi ka të bëjë me dispozitat ligjore që përcaktojnë koeficientët për llogaritjen e pagave të Kryetarit dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Me hyrjen në fuqi të tij, paga e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese do të llogaritet me një koeficient prej 3.08, dhe ajo e gjykatësve kushtetues me një koeficient prej 2.85. Sipas vlerësimeve fillestare, kthimi i koeficientëve të vjetër do të thotë një rritje e të ardhurave mujore me të paktën 200 euro.
Llogaritja e përafërt për Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese thotë se ai do të përfitojë një rrogë prej 242,500 denarësh bruto ose rreth 164 mijë denarë neto. Paga e gjyqtarëve do të jetë 199,500 denarë bruto ose 135,000 denarë neto.
Pagat në Gjykatën Kushtetuese nga 1 tetori:
Kryetari – 242 mijë denarë bruto (3926 euro) – 164 mijë denarë neto (2660 euro)
Gjykatësit – 199 mijë denarë bruto (3228 euro) – 135 mijë neto (2190 euro).
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se pagat e gjyqtarëve të saj nuk duhet të rregullohen sipas të njëjtave kritere si pagat e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar. Pozicioni i veçantë kushtetues i Gjykatës dhe nevoja që siguria materiale e gjyqtarëve të jetë pjesë e garancive për pavarësinë dhe autonominë e tyre u përmendën si argumente. Procedura u iniciua nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Vendimi rihap çështjen nëse gjykatësit duhet të vendosin vetë për të ardhurat e tyre, veçanërisht në një periudhë me rritje të kostove të jetesës, kërkesa të vazhdueshme për paga më të larta në sektorët e tjerë publikë por edhe të kritikave për punën e tyre, përfshirë edhe të kritikave nga Komisioni Evropian për çështjet etnike që u hapën me vendime kontraverse të Kushtetueses./Alsat/


