Gjithnjë e më shumë burra mbeten pa miq të ngushtë: Pasojat për martesën ose lidhjen mund të jenë të mëdha
Shumë burra, me kalimin e viteve, humbasin miqësitë e afërta, ndaj mbështetjen emocionale dhe ndjenjën e afërsisë e kërkojnë pothuajse tërësisht te partnerja
Ka përfunduar një javë e lodhshme dhe po përgatiteni të dilni me shoqet. Një gotë verë, pak të qeshura dhe biseda – pikërisht ajo që ju nevojitet. Pastaj e shikoni bashkëshortin. Është ulur në divan, duke kaluar pa ndonjë qëllim nga një përmbajtje në tjetrën në telefon dhe e dini se, kur të ktheheni, do ta gjeni pikërisht aty.
Ndjenja e fajit e zbeh menjëherë gjithë kënaqësinë që ndienit.
Në pamje të parë, mund të mendoni se duhet të jeni të kënaqura: është më mirë të qëndrojë vetëm në shtëpi sesa të dalë me shokët, apo jo? Atëherë, përse ndiheni të kufizuara dhe jo mirënjohëse?
Edhe pse për këtë flitet rrallë, shumë gra ndihen të ngarkuara në martesë me një burrë që nuk ka marrëdhënie të rëndësishme shoqërore jashtë lidhjes.
Përse miqësitë mes burrave shuhen kaq lehtë?
Studimet tregojnë se miqësitë mes burrave shpesh janë më të brishta se ato mes grave. Gratë zakonisht i ndërtojnë marrëdhëniet “ballë për ballë”, nëpërmjet bisedave, ndarjes së ndjenjave dhe mbështetjes emocionale, ndërsa burrat më shpesh krijojnë miqësi “krah për krah”.
Kjo do të thotë se lidhjet e tyre krijohen dhe ruhen nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta, si sporti, ndonjë hobi, dalja pas punës ose angazhimi në një projekt të përbashkët.
Aktiviteti bëhet një lloj arsyeje për t’u afruar dhe një hapësirë në të cilën mund të krijohet besimi, pa presionin për të folur drejtpërdrejt për ndjenjat ose dobësitë personale.
Problemi lind kur rrethanat e jetës e ndërpresin aktivitetin që i bashkonte. Shpërngulja, ndryshimi i vendit të punës, ardhja në jetë e fëmijëve ose pensionimi shpesh nënkuptojnë edhe fundin e një miqësie.
Marrëdhënia që mbështetej në një ndeshje javore basketbolli ose në punën në të njëjtin ambient mund të shuhet, sepse është zhdukur edhe baza që e mbante gjallë.
Gratë, nga ana tjetër, shpesh arrijnë ta ruajnë miqësinë për vite të tëra, madje edhe në largësi, sepse ajo mbështetet në komunikim dhe afërsi emocionale.
Burrat mund të kalojnë muaj, madje edhe vite, pa komunikuar me dikë që ende e konsiderojnë mik të ngushtë. Mirëpo, pa takime dhe përvoja të përbashkëta, lidhja gradualisht dobësohet dhe zbehet, transmeton Telegrafi.
Epidemia e heshtur e vetmisë mashkullore
Ky fenomen ka çuar në atë që ekspertët e quajnë “recesion të miqësive” mes burrave.
Sipas një studimi të organizatës amerikane Survey Center on American Life, rreth 15 për qind e burrave deklaruan se nuk kishin asnjë mik të ngushtë. Kjo përqindje ishte pesë herë më e lartë sesa në vitin 1990.
Normat shoqërore që u kërkojnë djemve dhe burrave të jenë të fortë, të përmbajtur dhe të mbështeten vetëm te vetja e përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
Shumë prej tyre rriten me bindjen se shprehja e ndjenjave është shenjë dobësie dhe se partnerja është personi i vetëm me të cilin mund të flasin për problemet e tyre emocionale.
Pasojat nuk janë vetëm shoqërore, por edhe shëndetësore. Vetmia kronike lidhet me rrezik më të lartë për ankth, depresion dhe mendime ose sjellje vetëvrasëse.
Ish-kryekirurgu amerikan Vivek Murthy e ka cilësuar vetminë si një epidemi të padukshme dhe potencialisht vdekjeprurëse. Ai ka paralajmëruar se izolimi shoqëror lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe demencë.
Sipas ekspertëve, rreziqet shëndetësore të izolimit të zgjatur mund të krahasohen me ato të faktorëve të tjerë seriozë, si pirja e duhanit ose obeziteti.
Kur partnerja bëhet mbështetja e vetme
Kur një burrë nuk ka miq të afërt, partnerja e tij mund të bëhet i gjithë sistemi i tij shoqëror dhe emocional.
Ajo është njëkohësisht bashkëshorte, shoqja më e mirë, personi i vetëm i besuar dhe burimi kryesor i argëtimit. Një barrë e tillë krijon presion të madh dhe e prish ekuilibrin në marrëdhënie.
Gruaja mund të fillojë të ndihet fajtore sa herë dëshiron të dalë vetëm ose me shoqet, sepse e di se ai do të qëndrojë vetëm në shtëpi.
Me kalimin e kohës, ndjenja e fajit mund të shndërrohet në pakënaqësi. Ajo fillon ta kufizojë jetën e vet për t’iu përshtatur atij: del më rrallë, kthehet më herët në shtëpi dhe refuzon ftesa, sepse i duket e padrejtë ta lërë shpesh vetëm.
Çdo dalje mund të bëhet burim tensioni. Gruaja fillon të ndiejë se lumturia dhe liria e saj kufizohen nga mungesa e jetës shoqërore të partnerit. /Telegrafi/


