Please enter at least 3 characters.

“Gjithmonë do ta kisha zgjedhur Man Cityn”, Ndiaye shpjegon arsyen pse i refuzoi londinezët

Iliman Ndiaye ka zbuluar se Manchester City ishte zgjedhja e tij e parë gjatë afatit kalimtar të verës, pavarësisht interesimit serioz nga Tottenham.

City e transferoi reprezentuesin e Senegalit nga Evertoni për rreth 65 milionë funte në ditën e fundit të afatit kalimtar, ndërsa edhe Tottenhami kishte arritur marrëveshje me Evertonin për transferimin e tij.

Ndiaye shënoi 17 gola dhe regjistroi katër asistime në 74 paraqitje me Evertonin, duke ndihmuar skuadrën të luftonte për një vend në garat evropiane sezonin e kaluar.

Sulmuesi 26-vjeçar bëri debutimin me Manchester Cityn të shtunën në fitoren 1-0 ndaj Coventry Cityt. Ai ishte lojtari me më së shumti driblime të tentuar, tetë, si dhe udhëhoqi skuadrën në duele të zhvilluara, me 16 të tilla, ndërsa krijoi edhe një mundësi për bashkëlojtarët.

Me paraqitjen e tij, Ndiaye u bë lojtari i parë nga Senegali që luan për Manchester Cityn në Ligën Premier, duke e çuar në 57 numrin e shteteve të ndryshme të përfaqësuara nga lojtarët e klubit në këtë garë.

Megjithatë, pavarësisht interesimit nga Tottenhami, Ndiaye ka bërë të qartë se dëshira e tij ishte gjithmonë Manchester City.

“Nuk kishte stres dhe as panik. Gjithmonë them se çfarëdo që të ndodhë, do të ndodhë. Zoti e vendos të ardhmen tënde, gjithçka është tashmë e shkruar. Unë thjesht isha i durueshëm dhe kur City erdhi, isha jashtëzakonisht i lumtur”.

“Ai është dikush që më admironte dhe sapo erdhi oferta e Cityt, unë kisha vetëm një drejtim ku dëshiroja të shkoja”.

“Për mua gjithmonë do të ishte City. Doja të luaja në Ligën e Kampionëve dhe në një prej skuadrave më të mira në botë”.

“Nuk po them se Tottenhami nuk është një skuadër e tillë, por kur të vjen Manchester City, nuk mund të thuash jo. Ka qenë një javë e mirë për mua dhe u kompletua me një fitore”.

Ndeshjen e radhës Manchester City do ta zhvillojë të martën në Ligën e Kampionëve ndaj Portos, ndërsa të dielën e pret derbi ndaj Manchester Unitedit në Ligën Premier./Telegrafi/