Gjenerali i lartë i NATO-s, Grynkewich: Pos 5000 ushtarëve, nuk pres tërheqje shtesë të trupave amerikane nga Evropa
Gjenerallejtënanti i NATO-s, Alexus Grynkewich ka deklaruar se tërheqja e trupave amerikane nga Evropa nuk do të dobësojë mbrojtjen e Aleancës në kontinent.
Ai theksoi se, pavarësisht ndryshimeve në praninë ushtarake të SHBA-së, aftësitë mbrojtëse të NATO-s mbeten të forta dhe se vendet evropiane po marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale në Evropë.
“Do të largohen 5000 trupat nga Evropa. Është krejt çka pres në një kohë afatshkurte”, pohoi ushtaraku.
Sipas tij, ky proces është gradual dhe i shtrirë në disa vite, duke reflektuar një riorganizim të rolit të SHBA-së dhe aleatëve brenda NATO-s, ku Uashingtoni do të fokusohet më shumë në kapacitete që aleatët nuk i kanë ende.
Komandanti theksoi gjithashtu se mbrojtja e përgjithshme e Aleancës mbetet e qëndrueshme përmes bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve anëtare dhe forcimit të kapaciteteve të përbashkëta.
Ndryshe, Gjermania aktualisht strehon dhjetëra mijëra trupa amerikane, të shpërndara në disa baza strategjike që shërbejnë si qendra logjistike dhe operacionale për NATO-n në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Çdo ndryshim në këtë prani shihet si pjesë e një riorganizimi më të gjerë strategjik të Pentagonit, që synon zhvendosjen e burimeve drejt Indo-Paqësorit dhe rritjen e kapaciteteve të aleatëve evropianë. /Telegrafi/


